Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-kryeministër i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të intensifikojë bashkëpunimin me Çekinë, pasi së shpejti ky vend pritet ta marrë kryesimin e BE-së.
Kjo thirrje e tij erdhi pas takimit që Hoti ka zhvilluar me ish-ministrin e Jashtëm të Çekisë, Karel Schwarzenberg.
“Sot, pata nderin të takohem me z. Karel Schwarzenberg, ish Ministër i Jashtëm i Çekisë kur Kosova e ka shpallur pavarësinë. Ai ka qenë bashkëpunëtori kryesor i ish-Presidentit të Çekisë, Václav Havel, një njeri i madh dhe mik i Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova, që mbështeti bombardimet e NATO-s dhe bëri vizitën e parë si President i një shteti pas lufte në Kosovë”, shkroi Hoti në Facebook.
Hoti shkruan se në procesin e shtetndërtimit të Kosovës miqtë sikur Schwarzenberg kanë vend të veçantë.
“I shpreha mirënjohjen tonë për kontributin e tij në kohën sa ishte Ministër dhe deputet. Ai edhe sot vazhdon të mbështesë paqen dhe integrimin euro-atlantik të Republikës së Kosovës. Biseduam për mbështetjen që na duhet tani për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s. Partia që ky e ka themeluar dhe udhëhequr është në qeverisje dhe udhëheq me Parlamentin. Çekia pritet të marrë së shpejti kryesimin e BE-së, prandaj Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të intensifikoj bashkëpunimin me Çekinë. LDK-ja dhe unë personalisht do të jemi në dispozicion për të ndihmuar me lidhjet dhe miqësitë që i ka krijuar Presidenti Rugova, të cilat po i vazhdojmë edhe tani që jemi në opozitë”, përfundon Hoti.