Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot gjatë ditës ka njoftuar se ka dekretuar Ligjin për Buxhetin bashkë me plotësim/ndryshimet e tij.
Pas një veprimi të tillë të presidentit ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka njoftuar se tashmë përmes Ministrisë së Financave janë duke u bërë përgatitjet për kryerjen e pagesave për punëtorët të cilët kanë mbetur pa punë, për familjet pa të ardhura dhe për qiratë e bizneseve.
“Përmes Ministrisë së Financave dhe ministrive të linjës, po bëjmë përgatitjet për pagesat për punëtorët e mbetur të papunë, qiratë e ndërmarrjeve dhe familjet pa të ardhura”, ka shkruar Hoti.
Ai po ashtu ka treguar se janë duke bërë planifikimet për shpërndarjen e mjeteve për masat e rimëkëmbjes të cilat do të miratohen në Qeveri së shpejti.
“Gjithashtu, po bëjmë planin e shpërndarjes së mjeteve për masat e rimëkëmbjes ekonomike, i cili plan do të miratohet në Qeveri së shpejti”, ka përfunduar kreu i ekzekutivit.