Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj dhe atë të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë Ramë Likaj, kanë vizituar Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, tha se situata në vend është e rëndë
“Situata është alarmante, ne jemi të detyruar ti kthejmë masat që kanë qenë më herët. Duhet të kthehemi në shkollë por duhet të respektojmë udhëzimet e IKSHP-së. Gjendja është serioze, nëse nuk kemi kujdes nuk kemi zgjidhje tjetër veçse ti kthejmë masat e mëparshme”, tha ai.
Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se ky institut vazhdon të bëjë apel për t’i respektuar masat e ndërmarra nga ta.
“Janë të regjistruara 58 raste. IKSHP ka parashtrua brengë dhe të shohin për masat e mëtutjeshme. Instituti në vazhdimësi bënë apel që pas lehtësimit që t’i bëjmë këto rekomandime për të ruajtur shëndetin tonë duke mbajtur distancën mbajtur maskën dhe higjienën personale dhe të dezinfektohen. Sot kemi një numër të rritur të rasteve pozitive të cilat gjenden në Prishtinë, Viti, Fushë-Kosovë Rahovec”, tha ai,
Ramadani tha se këto raste janë raste të kontaktit nëpër institucione private, raporton EO.
“Këto janë raste kontakti që kemi hasur në disa institucione private. Të gjitha këto vatra epidemike janë nga pakujdesia e disa individëve që nuk i janë përfillur rekomandimeve të IKSHPK. Apeli jonë është që ti përmbahen këtyre rekomandimeve. Ne jemi të brengosur se qytetarët që nuk rekomandojnë do të kenë penalizime”.
E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë apel që nga pakujdesia situatë të dal jashtë kontrollit.
“Të mos lejojmë që për pak kujdes situata të na dalë jashtë kontrollit. Do të kalojmë në një fazë të re dhe mos të detyrohemi që institucionet publike dhe privatë të kenë masa të ndëshkimit apo edhe ndaj individit”, tha Zemaj.
e ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka marrë vendim për ndërprerjen e mësimit plotësues për nxënësit e klasave të 9-ta, si masë parandaluese dhe mbrojtëse për shëndetin e fëmijëve, mësimdhënësve, stafit të angazhuar dhe familjeve të tyre.
Këtë vendim, ministri Likaj e ka marrë për shkak të situatës së krijuar gjatë kësaj jave dhe duke u bazuar në informatat e pranuara nga tereni, ku është konstatuar se nuk po respektohen disa nga masat e rekomanduara nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe IKSHPK, e në veçanti distanca fizike, mbajtja e maskave, mbajtja e higjienës personale, matja e temperaturës.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) deri më sot ka zbatuar të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për parandalimin e COVID-19, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve të përfshirë në procesin e mësimit plotësues dy javor dhe përgatitjeve për Testin e Arritshmërisë”, ka thënë ai, me të cilin janë obliguar Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) që ta zbatojnë deri në një vendim tjetër.