Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka uruar Kroacinë, e cila më 1 janar ndryshoi monedhën e saj në euro dhe zyrtarisht hyri në zonën pa viza të Evropës, Shengen, dy ngjarje të rëndësishme për këtë shtet që është anëtarësuar në Bashkimin Evropian pothuajse një dekadë më parë.
Në një postim në Facebook, Hoti e ka quajtur arritje të madhe, teksa ka shkruar se edhe Kosova është e angazhuar në funksion të integrimit euro-atlantik, pavarësisht sfidave.
“Urime Kroacisë për hyrjen në zonën Shengen dhe futjen e euros në qarkullim. Kjo është padyshim e rëndësishme për të gjithë Ballkanin. Pas 27 vitesh të luftës së përgjakshme, kjo është një arritje e madhe. Me durim dhe vendosmëri arrihet gjithçka.
Me padurim presim ditën kur Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane dhe aleancës së NATO-s. Angazhimi ynë politik në çdo kohë ka qenë dhe mbetet në funksion të integrimit euro-atlantik të Kosovës, pavarësisht sfidave që na imponohen nga jashtë apo politikës së brendshme që kurthohet kohë pas kohe e na humb kohë të vlefshme.”, ka shkruar Hoti.