Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Kulturës, Kujtim Shala, ka vizituar stadiumin e qytetin në Mitrovicë, ku u njoh për së afërmi me procesin e punëve që janë duke u realizuar në këtë fushë.
“Shpresoj që të kryhet sa më shpejt dhe të jetë gati për ekipet për të zhvilluar lojën. Mitrovica do të shpallet kampion sivjet dhe unë i jap të gjithë mbështetjen të sektorit të sportit të rinisë të kulturës, në veçanti talenteve të reja që Kosova është duke ju ofruar të gjithë botës në veçanti në futboll”, ka thënë ai.
Hoti për Ekonomia Online ka thënë se pret që këto punime të përfundojnë shpejt dhe të nisin projekte tjera që kanë për synim.
“Besoj që stadiumi do të kompletohet shpejt dhe do të fillojmë shpejt me studionin Kombëtar në Prishtinë dhe me projekte të tjera gjithandej nëpër Kosovë për të kompletuar infrastrukturën sportive”, ka thënë Hoti.
Ai tha se programi i tyre qeverisës i mbështet të gjitha federatat pa përjashtim duke u siguruar që ato të kenë buxhetin e mjaftueshëm për t’i mbështetur kuadrot dhe talentet e rinj në këtë fushë.
Po ashtu Hoti me bashkëpunëtorë ka vizituar edhe urën e Ibrit, ku u njoh për së afërmi me punimet që janë duke u zhvilluar.