Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se institucionet e Kosovës e kanë mbështetjen e SHBA-ve për zbardhjen e sulmit në Ibër Lepenec, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit me kryeministrin Kurti, Hovenier tha se nuk përjashtohet nga sulmi asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër, por sipas tij është shumë herët, të dihet e kush janë përgjegjësitë.
Ai ka thënë se ShBA-ja po punon ngushtë me institucionet e vendit për të gjetur personat përgjegjës për këtë “sulm të papranueshëm”.
“Dua të theksoj disa gjëra nga ana e ShBA-së, ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm në infrastrukturën kritike të Kosovës, që ka targetuar furnizimin me energji elektrike, ngrohjen dhe ujin e pijshëm të vendit. ShBA mbështet një hetim gjithëpërfshirës, kemi ofruar përkrahjen tonë të plotë për institucionet e Kosovës. Është shumë me rëndësi që të gjenden personat përgjegjës. Këto akte të dhunës janë të pajustifikueshme, ato rrezikojnë qytetarët e Kosovës.”, tha Hovenier.
I pyetur se a mund të mbahet Serbia përgjegjëse për të, ai ka thënë se është herët që të dihet saktë se kush ka pasur gisht në sulm.
“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Është herët për një gjë të tillë dhe këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo që mund të them është se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen tonë. Gjithashtu nuk jam në gjendje të përjashtoj asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër. Është shumë herët, nuk e dimë ende”, ka thënë ai.