Hovenier i përgjigjet Konjufcës që kritikoi QUINT-in për Asociacionin

Prishtinë | 25 Maj 2023 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar nga Kosova që urgjentisht të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Kreu i Ambasadës së ShBA-ve në Kosovë ka thënë se Asociacioni është një fondamental i Kosovës dhe se tani duhet të formohet urgjentisht.

Ai ka thënë se Kosovës nuk po i bëhet presion për themelimin e Asociacionit, por sipas tij, amerikanë dëshirojnë ta shohin Kosovën si shtet “shumëkombësh, sovran, i pavarur dhe demokratik”.

Më tej, ai ka kërkuar që qeveria t’i marrë parasysh këshillat e tyre.

“Merrni parasysh këshillat tona më të mira. Dëshirën tonë për të ndihmuar Kosovën të krijojë kushtet për të arritur këtë vizion të përbashkët”, tha ai të mërkurën në një intervistë për RTV 21.

Gjithashtu, Hovenier është pyetur se “a është procesi i integrimit të serbëve në institucione i ndërlidhur posaçërisht me procesin e themelimit të Asociacionit?”, pasi ditë më parë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca pretendoi se ka dëgjuar që shtetet e QUINT-it kanë thënë se fillimisht duhet të kthehen serbët në institucione e pastaj të formohet Asociacioni.

“Një pyetje e vështirë për mua që t’i përgjigjem, Atë që mund të them është se jam në dijeni që disa serbë e kanë tërhequr këtë paralele dhe kanë bërë këtë lidhje. Nga perspektiva e SHBA-së këto janë dy gjëra që duhet të ndodhin. Është e vështirë për mua të them se cila është sekuenca apo shkaku e pasoja. Ne duam të shohim kthimin e serbëve në institucione”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha të martën se nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it ka dëgjuar se nuk mund të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Ai u kërkoi atyre sqarime nëse kanë ndryshuar mendimin, ndërkaq e akuzoi Serbinë për shkelje të marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel e Ohër.

Të ngjashme