Hovenier nderohet me urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”: Privilegj të shërbeja në Kosovë

Prishtinë | 11 Dhj 2024 | 11:00 | Nga Ekonomia Online


Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është nderuar me urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova” nga presidentja e shtetit Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se Hovenier për Kosovën ishte më shumë se sa vetëm ambasador.

“Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”, për Jeff Hovenier – i cili për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador. Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-të. Faleminderit Ambasador Hovenier!” ka shkruar Osmani në Facebook, teksa e ka publikuar një video nga ceremonia e nderimit të ambasadorit amerikan.

Ndërkaq, Hovenier, i cili ka vendosur të largohet nga misioni në Kosovë dhe të pensionohet, ka thënë se qenë privilegj të shërbejë si ambasador në Kosovë.

“Thellësisht i nderuar dhe mirënjohës që mora urdhrin presidencial ‘Dr. Ibrahim Rugova’ nga presidentja Vjosa Osmani mbrëmë. Kjo ka domethënie të madhe për mua pasi përfaqëson punën kolektive dhe përkushtimin e kujtdo që ka qenë pjesë e përpjekjes për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për shtet sovran, demokratik e multietnik. Ka qenë privilegj i madh të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu në Kosovë”, ka shkruar Hovenier në platformën “X”.

Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova” u jepet personave vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit.

Të ngjashme