Ambasadorët e shteteve të QUINT-it i kanë shkuar të premten në zyre kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. E temë diskutimi ishte paralajmërimi për hapjen e Urës së Ibrit, e që u kundërshtua nga ambasadorët e pesë shteteve të akredituar në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha për gazetarë se në konsultim me qeveritë që përfaqësojnë, si dhe Aleancën Veriatlantike, nuk e përkrahin vendimin e Qeverisë për ta hapur urën e Ibrit.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës, në këtë kohë”, është shprehur Hovenier, në një deklaratë të shkurtër për mediet.
Diplomati amerikan ishte i shkurtër në deklarimin e tij, ndërsa nuk ka dashur të komentojë më shumë pse nuk e mbështesin hapjen e urës që “ndan” Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Pjesë e takimit ishte dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.