Hovenier: SHBA-ja thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, po nxisin tensione

Prishtinë | 03 Shk 2024 | 23:14 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës se po nxitë tensione ndëretnike me veprimet e fundit me ndalimin e dinarit dhe aksionet për mbylljen e objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë. Ai ka paralajmëruar mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Nëpërmes një deklarate të shtunën në mbrëmje, Hovenier ka theksuar se Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Hovenier.

Më tej ambasadori amerikan Hovenier ka përmendur operacionet e Policisë së Kosovës të kryera në disa komuna të Kosovës të cilat sipas tij po nxisin tensione të panevojshme.

“Ato përfshijnë operacionet e kryera nga Policia e Kosovës në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javës së kaluar në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë si dhe në OJQ, Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë”.

Ndër të tjera ai ka theksuar se qeveria e ShBA është e shqetësuar për veprimet e Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia.

“Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”, ka vijuar ai.

Tutje ai ka theksuar se “është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të promovojë vizionin e parashtruar në themelimin e saj dhe të sanksionuar në Deklaratën e saj të Pavarësisë dhe Kushtetutën: një nga një demokraci plotësisht multietnike që i përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Në fund, Hovenier ka bërë thirrje që Kosova ta shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së derisa popullata të njoftohet se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre.

“Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”, ka përfunduar ambasadori amerikan Hovenier.

Të ngjashme