Ambasadori amerikan më Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se temë diskutimi ishte gjendja e sigurisë në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.
Hovenier tha se situata është thellësisht shqetësuese në veri dhe ka thënë se është me rëndësi që mos të bëhet hyrja me forcë në objektet e komunave në veri. Ai shtoi se është me rëndësi që të depërshkallëzohet situata.
“Sapo u takova me presidenten Osmani dhe diskutuam për situatën në veri dhe shqetësimet tona të përbashkëta për dhunën dhe eskalimin”.
“Me ambasadorin Szunyog i kemi ftuar edhe katër kryetarët e komunave veriore, vetëm dy na janë bashkuar, ai i Zveçanit dhe Zubin Potokut. Edhe me ta diskutuam për shqetësimet lidhur me situatën”.
“Qeveria e ShBA-së, por edhe ato të vendeve të QUINT-it, e kanë potencuar se sa e rëndësishme është që zyrtarët të hyjnë në institucionet shtetërore pa përdorimin e forcës. Ky mbetet ende qëndrimi ynë. Edhe me kryetarët e diskutuam se si mund ta kryejnë detyrën e tyre dhe t’u shërbejnë qytetarëve, sidomos pa pasur nevojë për forcë që të hyjnë në institucione”.