Deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha ka kritikuar letrën e lideri të VV-së, Albin Kurtit, i cili kërkoi nga gjyqtari i Gjykatës Speciale që të lirohet bashkanëtari i tij i partisë, raporton Ekonomia Online.
Hoxha tha se në dhomat e specializuara në Hagë nuk po gjykohet PDK-ja, LVV-ja, AAK-ja apo Nisma, por po gjykohet lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së.
“Letra e juaj drejtuar gjyqtarit të Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou për ta liruar me kusht luftëtarin e lirisë Rexhep Selimi është një iniciativë e mirë, por më bënë përshtypje shpërfaqja e juaj e urrejtjes ndaj luftëtarëve tjerë të lirisë”, tha ai tutja.
“Albin e kuptoj urrejtjen patologjike që e ke me Hashimin dhe Kadriun, por në Hagë janë duke u gjykuar edhe luftëtarët tjerë si baca Jakup, Hysniu, Nasimi dhe Salihu, prandaj duhet të mendoni njëjtë për të gjithë”, u shpreh Hoxha.
Në fund, ai tha se Kurti njihet si përçarës në mes të shokëve të idealit , që sipas tij kjo u vërtetua edhe dje me veprimin tij, që Hoxha e quan të padinjitetshëm.