’’Vendimi lidhur me propozimin për liberalizimin e vizave është duke u shqyrtuar aktualisht nga Këshilli”.
Kjo është e tëra që u tha në Konkluzat e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një intervistë për EkonomiaOnline është shprehur e zhgënjyer me Bashkimin Evropian.
Ajo duke komentuar Konkluzat e Këshillit të Ministrave të BE-së, thotë se kanë pritur datë konkrete lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
“Ne kemi pritur një gjuhë më konkrete, afate më konkrete kohore lidhur me këtë proces të shqyrtimit. Kam theksuar se jemi në hapin e fundit, pra vendimi në Këshillin e Ministrave në të vërtetë e hap rrugën që qytetarët tanë të lëvizin të lirë. Mirëpo këtë herë ne e pamë që nuk ishte asgjë konkrete në konkluzat e Këshillit të Ministrave. Ishte ndoshta një fjali e cila thoshte apo e konfirmonte atë që ne e kemi thënë disa herë, që çështja e liberalizimit të vizave është duke u shqyrtuar në Këshill, mirëpo nuk jep afate kohore. Dhe kjo për neve është pak brengosëse sepse ne i kemi përfunduar kriteret dhe e dimë shumë mirë se përkundër faktit që Kosova i ka pasur dyfishin në krahasim me vendet e rajonit ne prapë se prapë nuk jemi ndalur dhe i kemi përmbushur këto kritere”, thotë ajo.
Hoxha e pranon se tashmë disa shtete të BE-së, kanë dalur haptazi kundër liberalizimit të vizave. Madje ajo përmend edhe Gjermaninë, e cila sipas saj nuk po ndërmerr asgjë për t’i bindur vendet tjera që të votojnë për heqjen e vizave për Kosovën.
“Tani po shohim një hezitim nga disa shtete anëtare siç është Franca, Holanda, deri diku edhe Gjermania nuk ka një mendim të qartë, përkundër faktit që ministri i Brendshëm ka thënë që “po” liberalizimit të vizave për Kosovën, mirëpo në anën tjetër në takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Brendshme, i cili u mbajt me 6 dhe 7 qershor, pra i parapriu takimit të këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe asgjë nuk u disktua për Kosovën. Pra as Gjermani asnjëra nga këto shtete nuk e hapi temën e liberalizimit të vizave. Kjo na bënë të kuptojmë se pa u arritur një konsensus në mes të anëtarëve të BE-së nuk e shoh që do të kemi një vendim në Këshillin e Ministrave. Shpresoj që kjo të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin sa më shpejt, mirëpo e gjitha tani është në duar të shteteve anëtare, gjegjësisht dy tri shteteve që duhet ta lëvizin këtë proces përpara”, shton ajo.
Ministrja e Integrimit po shprehet e bindur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, thotë se është proces që duhet vazhduar edhe pas liberalizimit të vizave.
“Për ne po komplikohet procesi fare në fund. Për Kosovën nuk po ka vlerësim, pra të drejtë. Për Kosovën po vazhdojnë kushtet, nuk është se janë kushte shtesë por vazhdoni ti plotësoni kriteret e udhërrëfyesit. Kriteret e udhërrëfyesit vazhdojnë të zbatohen, sepse ato janë gjëra që ne i zbatojmë në mënyrë të rregullt, qoftë siguria e pasaportave, qoftë siguria e dokumenteve. Ndërsa sa i përket kriterit të luftimit dhe korrupsionit,a po rastet e shenjëzuara, është diçka që ne duhet të vazhdojmë dhe do të vazhdojmë. Nuk është diçka që do të mbyllet në momentin kur ne e marrim liberalizimin e vizave”.
Kërkesat e shteteve të BE-së karshi Kosovës,ministrja Hoxha po i vlerëson të padrejta. Thotë se nuk pranojnë më asnjë kusht nga askush.
“Mua më brengos hezitimi dhe vonimi për të marrur një vendim. Askush qoftë edhe ne në Kosovë, por askush nuk do të pranojë kushte shtesë, sepse nuk mund të paguajmë dy herë për një gjë të cilën ende nuk na e kanë dhënë. Të gjitha vendet me përmbushjen e udhërrëfyesit e kanë marr liberalizimin e vizave. Të njëjtën gjë e presim edhe ne. është përmbush udhërrëfyesi, janë përmbushur kriteret, kjo është konfirmuar nga Komisioni Evropian, është konfirmuar dy herë nga Parlamenti Evropian dhe ne presim një vendim sa më parë. Sepse jemi dhe kemi mbetur vendi i vetëm i izoluar dhe qytetarët tanë s’po arrijnë të lëvizin të lirë”.
Duke parë krejt këtë situatë, ministrja Hoxha shprehet skeptike se një vendim për liberalizimin e vizave mund të ndodh në shtator.
Thotë se një vendim i tillë nuk mund të merret pa konsensus në mes të Gjermanisë dhe Francës.
Madje thotë se janë po këto dy shtete që njëfarë mënyrë po e mbajnë të bllokuar liberalizimin për Kosovën.
“Është e arritshme, por ajo që po vërejmë tash është hezitimi i disa vendeve anëtare, si Franca, Holanda, janë fuqimisht kundër. Gjermania nuk është duke dalur përpara diskutimit apo debatit që t’i bindë edhe vendet tjera që ne duhet të lëvizim të lirë. Ky është një fakt tjetër që më bën të mos jem optimiste për shtator. Po gjatë fundit të vitit nëse mund të arrihet konsensusi në kuadër të vendeve anëtare atëherë mund të lëvizin vizat. Mirëpo, nuk e besoj se Gjermani dhe Franca do ta vënë në agjendë nëse ato dyja së pari nuk e arrijnë pajtimin se do të votojnë për liberalizimin e vizave. Pra pa u arritur ai konsensus në Këshillin e Ministrave, nuk e besoj që do të vihet në agjendë”, thotë Hoxha.
Ajo nuk e përjashton mundësinë se vendosja e taksës ndaj prodhimeve serbe mund të ketë ndikuar në këtë proces.
Thotë se në çdo takim lobues në vendet e BE-së është kërkuar pezullimi i taksës.
“Nuk mund të them që nuk është kërkuar nëpër takimet me anëtarët e BE-së që ta suspendojmë taksën. Do me thënë në çdo takim lobues që kam qenë në vendet anëtare është kërkuar kjo. Mirëpo, ne i kemi arsyet tona në lidhje me taksën dhe me dialogun. Dihet se Kosova është e përkushtuar që të arrijë marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe të paqes me Serbinë. Por gjithashtu një gjë që duhet të potencohet është se nuk duhet të ketë parakushte. Pra pse duhet të ketë kushte për t’u ulur të bisedojmë në tavolinë kur ne jemi ata që duhet të vendosim kushte. Nuk e shoh se këto janë kushte apo pengesa shtesë mirëpo po shfrytëzohen nga disa vende”, përfundon ministrja Hoxha.