Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha ka kritikuar vonesën e Qeverisë së Kosovës, për të ndihmuar bizneset dhe familjet të cilat janë prekur si pasojë e gjendjes së krijuar nga COVID-19.
Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se Kosova është vendi më i vonuar për t’i ndihmuar bizneset dhe qytetarët.
Hoxha ka thënë se është e turpshme dhe e patolerueshme qasja që kanë bërë qeveria Kurti dhe Hoti.
Postimi i plotë i tij:
Kosova është vendi më i vonuar për t’i ndihmuar bizneset dhe qytetaret nga Pandemia!
Është e turpshme dhe e pa tolerueshme dështimi i dy qeverive sikur asaj Kurti po ashtu edhe kësaj Hoti që për më shumë se 6 muaj nuk arritën që përmes buxhetit të shtetit ta implementojnë një pako të vetme fiskale e cila i ndihmon bizneset dhe qytetarët të cilët janë prekur nga pandemia.
Nuk ekzekutuan as 170 eurot e premtuara, as pagesat e qeras se bizneseve, filluan te marrin edhe vendime te cilat i pengojnë bizneset siç është rasti me kufizimin e orarit të punës për sektorin e gastronomisë i cili është punëdhënësi më i madh në sektorin privat, e pas pak ditësh e vërejtën që bënë gabim të radhës dhe u munduan ta përmirësojnë, sinqerisht këto janë veprime amatoreske të cilat nuk guxon t’i bëjë një qeveri e një vendi normal.
Ne për hir të gjendjes në të cilën ndodhet vendi si parti opozitare ju votuam edhe rishikimin e buxhetit. Tani pas 6 muajve sjellin në Kuvend një projektligj për rimëkëmbje ekonomike i cili ka shumë mangësi dhe i njëjti mund të ketë probleme të ngjashme në implementim sikur pakoja e par fiskale që nuk u implementua ende.
Ju lutem të jeni më të shpejt dhe më të vëmendshëm në veprime institucionale dhe ta shpëtoni vendin edhe nga katastrofa ekonomike që mund ta kaploj shumë shpejt.