Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në seancën e sotme ka diskutuar për MSA-në dhe implementimin e saj, aspiratat e Kosovës për anëtarësim në familjen evropiane, aplikimin për statusin e vendit kandidat dhe për liberalizmin e vizave.
“Fatkeqësisht, qytetarët tanë janë të privuar nga e drejta e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së për shkak të mos-liberalizimit të vizave. Qytetarët tanë çdo ditë rreshtohen para ambasadave të vendeve të BE-së për të marrë vizat të cilat tashmë do të duhej të hiqeshin sikur për vendet tjera të Ballkanit. Në këtë situatë, qytetarët janë ata që dëmtohen më së shumti dhe përgjegjës të vetëm jemi ne”, tha ministrja Hoxha e cila fton klasën politike në vend që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe mirëqenies së tyre.
Ministrja Hoxha ka kërkuar nga institucionet dhe akterët politik që të reflektojnë për mirëqenien e qytetarëve dhe t’u japin fund pritjeve të qytetarëve tanë para ambasadave.
“T’i japim fund izolimit. Ju lus për konsensus për interesin e vendit tonë, ju lus që të paktën kësaj radhe të bëhemi bashkë për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë dhe të mundësojmë plotësimin e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave respektivisht ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi”, tha ministrja Hoxha
Ndërsa sa i përket kriterit të dytë, luftimit të korrupsionit, Ministrja bëri të ditur se tashmë është arritur progresi i konsiderueshëm, megjithatë ky është një kriter që në vazhdimësi duhet të shënojë progres. Për këtë, do të mbështeten fuqishëm institucionet e sundimit të ligjit në intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, synimi strategjik i Qeverisë është përmbushja e kritereve për të marr statusin e kandidatit për anëtarësim në BE deri në vitin 2020. Kjo do të ishte një dinamikë e bazuar në përvojën e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vlerësimin objektiv të detyrave që duhet të përmbushim brenda kësaj periudhe. Në këtë kuadër, Qeveria do të ndërmerr të gjitha masa për të siguruar zbatimin e dispozitave prioritare të MSA-së, dhe prioriteteve politike në kuadër të Agjendës Evropiane të Reformave. Kjo do të përbënte një bazë të mirë për të mundësuar Komisionit Evropian ofrimin e mendimit pozitiv për aplikacionin e Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit, në koordinim të plotë me vendet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së”, theksoi Ministrja e Integrimit Hoxha.
Ministrja Hoxha gjatë seancës së sotme, ka vënë në pah edhe anëtarësimin e Kosovës në programe të BE-së siç janë: ERASMUS, COSME, Evropa për Qytetarët dhe Evropa Kreative. Pjesëmarrja në këto programe do të ofroj studentët, akademinë, bizneset, shoqërinë civile dhe komunitetin artistik dhe krijues edhe më afër Bashkimit Evropian. Do të krijohen mundësi të reja për të rinjtë tanë të cilët kanë potencial.
Ndërsa në bashkëpunim me Komisionin Evropian, do të sigurohemi që kjo asistencë të vazhdoj të adresoj çështjet me prioritet për qytetaret e Kosovës.
Ministrja Hoxha rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe “Procesit të Berlinit” që synon të bashkojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në një përpjekje për të përmirësuar rrugën e tyre individuale drejt BE. Procesi i Berlinit i ka siguruar Kosovës rehabilitimin e linjës X-të hekurudhore e cila do të lidh hekurudhat e Kosovës me korridoret pan-evropiane të hekurudhave, me një financim nga ana e BE-së në vlerë prej 80 milion euro”, bëri të ditur Ministrja Hoxha
Ministrja Hoxha që nga dita e parë e mandatit të saj ka theksuar se integrimi evropian nuk është alternativë por rruga jonë e vetme andaj le të kemi konsensus nacional për procesin e integrimit.
Nga kjo, ka cekur ajo, varet mirëqenia e qytetarëve tanë dhe të mos harrojmë për asnjë çast se ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe jemi përgjegjës për t’ua siguruar mirëqenien.