Hoxha për protestën kundër reduktimeve të rrymës: Ftoj të gjithë qytetarët që të marrin pjesë

Prishtinë | 27 Dhj 2021 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

Sot duke filluar nga ora 13:00 do të mbahet një protestë kundër reduktimeve të energjisë elektrike, e cila do të nisë nga objekti i KEDS-it për të vazhduar te ndërtesa e Qeverisë.

Nga grupi organizues i protestës, Dibran Hoxha, tha se ajo fillon nga ndërtesa e KEDS-it, pasi konsiderohet fajtor kryesor i gjendjes energjetike.

Tutje ai i ftuar në Sytë7 të Klan Kosovës, tregoi se kërkesë tjetër kanë shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përshkak të siç i quajti, deklarimeve qesharake të saj.

“Kemi diskutuar shumë gjatë në grupin organizativ dhe e kemi parë të pashmangshme këtë kërkesë. Ne konsiderojmë që kjo kërkesë është legjitime dhe që KEDS dhe tërë sistemi energjetik në Kosovë i takon Kosovës.” u shpreh ai për kërkesën tjetër të tyre, nacionalizimin e KEDS-it.

Hoxha shpjegoi se protesta organizohet nga një grup i qytetarëve aktivë dhe i ftoi të gjithë qytetarët që nuk përfaqësojnë interesa politike të marrin pjesë.

“KEDS-it që është përgjegjës për shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë i digjen trafot, ua qet sistemi në momentin që ka mbingarkesë, sikur të kishte pas investime dhe ato trafo e kishin përballu atë ngarkesë. Ne nuk e dimë ku kanë shkuar ato investime, nëse mbingarkohet një trafo dhe nisë me marrë zjarr, i bie që trafo është e vjetër.”

Ai tha se gjithashtu do të kërkohet furnizim i rregullt me energji, ashtu siç thuhet në kontratën e privatizimit. Sipas tij KEK-u operon me humbje që t’ia sigurojë fitimin KEDS-it dhe se jemi vendosur në shërbim të një kompanie private sikur t’ia kishim borxh mirëqenien.

Të ngjashme