Hoxha rizgjidhet prokuror në Prokurorinë Speciale edhe për 6 muaj

Prishtinë | 01 Shk 2017 | 13:00 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me tetë vota për dhe një kundër ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, i është vazhduar periudha e transferit në Prokurorinë Speciale të Kosovës edhe për gjashtë muaj. Për dallim nga hera e kaluar kur Hoxha ishte zgjedhur si ushtrues detyre në këtë institucion për një muaj.

Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Anëtari i Këshillit Prokurorial, Arben Ismajli, tha se nuk është kundër këtij vendimi, por kërkoi që Hoxha, t’u nënshtrohet procedurave të konkursit.

“E dimë që Prokuroria Speciale e Kosovës ka nevojë për prokurorë edhe për këtë arsye KPK, ka shpallur konkursin për avancim. Ne nuk jemi kundër këtij prokurori për shkuarje në Prokurorinë Speciale, mirëpo unë konsideroj se meqenëse e kemi hapur konkursin t’i nënshtrohet procedurave të konkurrimit, ta vlerësojë komisioni për vlerësim edhe të vendoset për t‘u transferuar në Prokurorinë Speciale”, ka thënë Ismajli.

Por, i menjëhershëm ishte reagimi i kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili tha se duhet të kihet parasysh interesi i institucionit që të bëhet ky transfer në mënyrë të përkohshme, duke shtuar se procedurat e tilla marrin kohë.

“Është e nevojshme dhe e domosdoshme që të transferohet përkohësisht… Është e nevojshme me u transferu në afat prej gjashtë muajve mos të ndërpritet ky kontinuitet i veprimtarisë së tij në Prokurorinë Speciale”, tha Lumezi.

Pula: Në vitin 2016 janë bartur 477 lëndë për korrupsion

Në mbledhjen është prezantuar edhe raporti i Komisionit Mbikëqyrës për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, nga prokurorja Laura Pula. Gjatë raportimit është thënë se 65 për qind e lëndëve për korrupsion dhe krime ekonomike kanë përfunduar me pushim të hetimeve.

Sipas saj, Komisioni ka arritur me prioritet t’i trajtojë lëndët të cilat kanë pasur të bëjnë me korrupsion dhe krime ekonomike, por nuk ka lënë pa përmendur edhe sfidat me të cilat është ballafaquar ky i fundit.

“Të dhënat e ofruara nga prokurorët kishin mospërputhje sasiore të lëndëve të ofruara, për anëtarët e komisionit… Në vitin 2016 janë bartur 477 lëndë për korrupsion nga viti paraprak, ndërsa janë pranuar 448 lëndë të reja, kurse nga 915 kallëzime penale janë zgjidhur 468 raste”, tha Pula.

Për të gjithë këto të dhëna kryeprokurori Lumezi kërkoi nga prokurorja Pula që të dijë se a ka edhe informata për raste të korrupsionit të nivelit të lartë si dhe për konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë.

“Nuk e dëgjova në raport se a kemi konfiskim apo sekuestrim të pasurisë së personave zyrtarë të cilët e kanë shpërdor detyrën zyrtare, nëse keni këtë informacion… Mënyra e zgjidhjes së problemit të lëndëve sipas bindjes time nuk është e kënaqshme dhe duhet të bëhet një analizë”, ka thënë Lumezi.

Në pyetjet e kryeprokurorit Lumezi, u përgjigj Pula, duke thënë se me çështjen e sekuestrimit merret koordinatori i këtyre çështjeve Shqipdon Fazliu.

Në mbledhjen e 128 të Këshillit Prokuororial të Kosovës është themeluar edhe Komisioni për transferim dhe avancim të prokurorëve në Departamentin për Krime të Rënda të prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

keshilli prokurorial

Të ngjashme