Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar ministren austriake për Gratë, Familjen dhe Rininë, Juliane Bogner-Strauß, gjatë Kongresit të 14-të të Rajoneve dhe Qyteteve të Evropës, që po mbahet në Salzburg.
Ministrja Hoxha ka shkruar në faqen e saj në Facebook se me ministren Bogner-Strauß ka diskutuar për rrugën integruese të Kosovës me fokus në promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore si dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dyja vendeve.
Postimi i plotë i ministres Hoxha:
“Gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e 14-të të Rajoneve dhe Qyteteve të Evropës, që po mbahet në Salzburg, takova Ministren Austriake për Gratë, Familjen dhe Rininë, Dr. Juliane Bogner-Strauß.
Gjatë këtij takimi, diskutuam për rrugën integruese të Kosovës me fokus në promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Theksova se Kosova është e përkushtuar që të promovojë barazinë gjinore jo vetëm në Kosovë por të luaj rol proaktiv edhe në rajon lidhur me këtë temë.
Po ashtu, kërkova intensifikimin e bashkëpunimit me Austrinë në fuqizimin e të rinjve dhe rolin e tyre në shoqëri, me ç’rast kërkova bashkëpunim dhe projekte të përbashkëta ku do të përfitonin të rinjtë tanë.
Ministrja Bogner-Strauß, ofroi mbështetjen e saj për Kosovën dhe ofroi bashkëpunim më intensiv në të ardhmen mes dy vendeve sidomos për mundësi të reja për të rinjtë tanë.”