Komisioni për Integrime Evropiane në bashkëpunim me Forumin për Transparencë Parlamentare, ka mbajtur takim lidhur me Komunikimin në Procesin e Integrimit Evropian në Kosovë, rolin e shoqërisë civile dhe medies, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se MIE është e përkushtuar që të eliminojnë sfidat që vështirësojnë hyrjen në BE duke përfshirë edhe komunikimin me shoqërinë.
“Është një proces që synon informimin e publikut duke ofruar informata efektive lidhur me rolin e shoqërisë në procesin e Integrimit Evropian. Përmes strategjisë së komunikimit të Integrimit Evropian që ministria e ka hartuar për 2018-22 kemi identifikuar disa nga sfidat kryesore dhe si duhet adresuar këto sfida në mënyrë afatgjate. Implementimi i ndonjë projekti zvarritet ose dështon për shkak të mospërmbushjes institucionale. MIE ka rol koordinues në procesin e integrimit dhe jemi të angazhuar të eliminojmë të gjitha sfidat që pengojnë në rrugën tonë drejt BE-së, duke përfshirë komunikimin me publikun”, ka thënë Hoxha.
“…Po punojmë në rritjen e transparencës dhe të funksionojmë si derë e hapur për qytetarët tanë. Kemi organizuar edhe disa takime me shoqërinë civile. Do vazhdojmë me këtë ritëm edhe gjatë punimeve të planit veprues që bashkë t’i identifikojmë reformat në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Kemi organizuar aktivitete të ndryshme, për rëndësinë e MSA-së si kontratë e jonë në të ardhmen, rolin e akterëve dhe vazhdimin e promovimit të vlerave për hyrjen në be.
Ajo tha se raporti me rekomandime nga BE-ja do t’i ofrohet edhe qytetarëve, për të cilat MIE ka marrë rol kryesor që t’i përmbushë.
“Tani që jemi në pritje të raportit me rekomandime të BE-së jemi të gatshëm që këto tu ofrohen qytetarëve. Për implementimin e këtyre rekomandimeve MIE ka marrë rol kyç në përmbushjen e tyre. Nëse punojmë së bashku si institucione, shoqëri e individë mund të kalojmë sfidat që kemi përpara në procese”, tha ajo.
Kryesuesja e komisionit, Blerta Deliu-Kodra, tha se ka vullnet politik të të gjitha partive që agjenda evropiane të përmbushet dhe ta çojnë përpara procesin e integrimit evropian.
“Ka një vullnet pozitë-opozitë që agjenda e integrimit evropian të jetë agjendë prioritare dhe po e bëjmë në Kuvend ku ka konsensus mes deputetëve për ta çuar përpara procesin e integrimit evropian. MSA-ja, Plani Kombëtar për Implementimin e MSA-së, Agjenda e Reformave Evropiane dhe Asistenca e BE-së janë fonde të BE-së që janë obligime që Kosova ka në BE. Roli i Kuvendit është vendimtar sidomos në proceset që po kalojmë pasi të gjitha ligjet vijnë nga kuvendi. Një rol jo më pak i rëndësishëm është procesi i informimit të drejtë i qytetarëve dhe komunikimi me qytetarët. Edhe pse procesi evropian sjell përfitime, ky proces nuk është i lehtë dhe duhet të kemi vullnet politik që të shtyjnë këto agjenda dhe të afrohemi me BE-në”, ka thënë Deliu-Kodra.
Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, në emër të Forumit për Transparencë, tha se ky forum është organi i vetëm ku shoqëria civile prezantohen si anëtarë me të drejta të plota.
Pantina tha se përgjegjësia kryesore në procesin e integrimit evropian bie mbi institucionet.
“Mendojmë se është proces ku roli i çdo pjesëtari të shoqërisë jo vetëm është i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm. Nuk duhet t’i shohim thjesht si kritere, por duhet të jenë synimet tona, të ndërtojmë një shtet ku sundon ligji. Duhet të synojmë poashtu të kemi biznese që konkurrojnë edhe në rajon e jo ta bëjmë atë vetëm për të plotësuar agjendën evropiane. Forumi për Transparencë përveç që po synon ta rrisë transparencën e kuvendit, ne po punojmë edhe në drejtim të transparencës së shoqërisë që të shërbejë si urëlidhëse për të marrë nevojat e qytetarëve dhe t’i bëjmë prioritete ato”, tha Pantina.
Ajo tha se çka duan prej politikës është që të ofrojë ambient të përshtatshëm për qytetarët dhe institucione që i përgjigjen qytetarëve.
“Ajo që po synojmë është që politika të jetë e përgjegjshme fillimisht para qytetarëve të vet”, tha ajo.