Hoxha: UÇK na bashkon, ky shesh do të buçojë sërish në ditën e kthimit të çlirimtarëve

Prishtinë | 02 Pri 2023 | 15:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, dhe një nga iniciatoret e platformës “Liria ka emër”, në marshin e organizuar të dielën, ka thënë se është e bindur se sheshet e Prishtinës do të mbushen sërish kur ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kthehen nga Haga, raporton Ekonomia Online.

Hoxha ka thënë se marshi i sotëm është në mbrojtje të luftës së drejtë të UÇK-së, pa të cilën, ajo ka thënë se as ky marsh nuk do të ishte i mundur.

Para mijëra njerëzve që po marrin pjesë në këtë marsh, Hoxha tha se para 24 vitesh Prishtina ishte shndërruar në një qytet fantazmë, por se “ne u kthyem përsëri”.

“Para 24 vitesh Prishtina ishte shndërruar në një qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbë, kishin mësyrë stacionin e vjetër të trenit. Ai stacion që kishte qenë i mbyllur për më shumë se 10 vjet atë kohë, u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës në një rrugë pa kthim, por ne u kthyem e këto sheshe u mbushën prapë për të festuar çlirimin e pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ajo.

Tutje, Hoxha ka thënë se javët e fundit e ka rijetuar historinë e Kosovës, në takimet me familjarët dhe viktimat e luftës dhe se kjo e ka bërë ta kuptoj se sa fuqishëm duhet të luftohet për drejtësinë.

“Si fotografe e re atë botë i mbaj mend shkrepjet e fytyrave me lot gëzimi kur të gjithë bashkë shënonim ato fitore të mëdha. E këto fitore epokale do të ishin të pamundura pa guximin, luftën dhe vetëmohimin e djemve dhe vajzave më të mira të këtij vendi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë këtyre dy javëve anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismailin e kam rijetuar historinë tonë. E kam ndjerë në dhimbjen e nënës Ferdonije, në guximin e Shyhretes dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, në qëndresën e bacës Bajram. Përulësisht ju falënderoj nga zemra të gjithë juve që jeni me ne këtu sot.

“UÇK-ja na bashkon pa dallim, thirrja për drejtësi na bashkon e unë jam e bindur që ky shesh do të buçojë sërish në ditën e kthimit të çlirimtarëve tanë”, ka thënë ajo.

Edhe iniciatori tjetër i këtij marshi, Ismail Tasholli, ka marrë fjalën para qytetarëve, duke thënë se UÇK-ja është emërues i përbashkët dhe vlera më sublime që vendi ka krijuar.

Tasholli tha se gjatë luftës si i ri, e ka ndjerë në palcë pabarazinë dhe dëbimin nga shkolla e shtëpia.

“Unë sikurse moshatarët e mi, e kam ndjerë në palcë pabarazinë, mbylljen e shkollave e dëbimin nga shtëpia. E ushtari i UÇK-së, e kishte marrë trajtën e një superheroi magjik. Luftëtarit së të mirit, të cilët kanë qenë të shumët. E vërteta e luftës së UÇK-së është e vërteta e secilit prej nesh është e vërteta e shtetit të Kosovës. Për historinë që nuk mund të rishkruhet. Unë ju falënderoj nga zemra që u jeni bashkuar thirrjes sonë, UÇK është vlera jonë”, tha Tasholli.

“UÇK-ja ishte vlera më sublime që e kemi krijuar si komb. Ne si komb, njëzëri, siç na ka hije marshojmë kundër ndryshimit të historisë, marshojmë për drejtësi. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi e fillojnë nesër betejën e radhës, për të vërtetën dhe drejtësinë dhe si gjithmonë do të na kthehen faqebardhë e fitimtarë. Ne sot u bëmë bashkë dhe siç e shihni doli dielli”, tha Tasholli.

Të ngjashme