Hoxha: VV-ja s’u lodh për t’u takuar më shpesh e për të krijuar konsensus

Prishtinë | 31 Kor 2025 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është dashur të konstituohej deri më 27 korrik.

Hoxha tha se aktorët e partisë me më së shumti mandate në këtë legjislaturë, Lëvizjes Vetëvendosje s’janë lodhur për të krijuar hapësira për konsensus e kompromis.

“Këtu ndodhën dy gjëra. E para që aktorët e partisë me më së shumti mandate nuk u lodhën as për t’u takuar më shpesh e as për të krijuar hapësirë për konsensus dhe kompromis që e kërkonte aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese që ishte i mëhershëm”.

“Duke i përsëritur ato seancat çdo 48 orë, erdhën në seancën e fundit ku u thye rregulli dhe ‘hajde shihemi edhe në mbrëmje’. Për çfarë, pasi nuk kishte tentativë për të lëvizur një hap me cilëndo parti politike”, tha Hoxha në Klan Kosova.

Tutje, ajo e komentoi edhe seancën e fundit që u mbajt në ora 22:00, përpara përfundimit të afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, duke e quajtur si “seancë kot”.

“Ajo seancë ishte kurrgjë, kot. Shihe orën kur e kanë thirrur dhe ndërmjet seancës që ka ndodhur gjatë ditës dhe asaj të mbrëmjes nuk ka ndodhur asgjë. Pse nuk e thërret një seancë kur nuk ke asnjë diskutim me askënd. Është shndërruar në një proces fyes dhe komplet të dëmshëm për Kosovën”, tha ajo.

Të ngjashme