Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj ka bërë homazhe në Reçak, për të përkujtuar masakrën që ndodhi me 15 janar, të vitit 1999, raporton Ekonomia Online.
Hoxhaj ka thënë se janë këtu për të nderuar këtë ngjarje, ku u vranë e masakruan civilë të pafajshëm.
“Jemi këtu së bashku me kryetarin e Shtimes Naim Ismajli për të nderuar Reçakun për të nderuar ata të cilët ishin viktimë në këtë ngjarje tragjike. Dhe natyrisht që jemi këtu ku Kosova është e lirë pas 21 vjetësh e nderojmë këtë ngjarje, ne jemi pa kryetari Veseli pa presidentin Thaçi, pa Rexhep Selim, Jakup Krasniqi, të cilët në mënyrë të padrejtë po përballen në gjykatë dhe jemi të sigurt se do të kthehen faqebardhë”.
“Ata nuk janë në gjykatë si emra të përveçëm po është kauza jonë për liri. Se ky shtet është ndërtuar nga qytetarë trima dhe punëtorë. Natyrisht që për neve si PDK-ja kjo është një ngjarje e rëndë dhe jam i sigurt që 5 nëntori e kanë cenuar dinjitetin e shqiptarit”, tha Hoxhaj.
Ndërsa, Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, tha se në këtë përvjetor më së miri tregon Reçaku se ndaj kujt duhet të ngritën aktakuzat.
“Sot këtu jemi në përvjetorin e Reçakut. Sado vite që kalojnë kujtesa na kthehet në vitin 1999. Më së miri tregon Reqaku se ndaj kujt duhet të ngritën aktakuzat. Sot në këtë përvjetor ku çlirimtarët dhe protagonistët e shtetit sot padrejtësisht mbahen në Hagë. Në mungesë të reflektimit të presidentes jemi detyruar që të shënojmë këtë ditë nën masa. Në këtë ditë shqiptarët është e pamundur ti ndalosh të vijnë të vizitojnë këtë vend. Liria ka emër dhe emri i lirisë është Reqaku”, tha ai.
Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur
Homazhe në Reçak, kanë bërë edhe liderë të tjerë politik dhe udhëheqës të institucione.