Deputeti i PDK-së, njëherit nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova deri dje ka pasur mundësi të marrë njohjen e pesë shteteve të BE-së që deri më tani nuk e njohin. “për shkak të rënies strategjike të Rusisë dhe izolimit të Serbisë”.
Ai tha se qëndrimi i djeshëm i kryeministrit të Spanjës në Tiranë dhe ai i ministrit të jashtëm grek në Vietnman, kanë qenë kundër njohjes së pavarësisë, dhe sipas tij, këto e “varrosën përfundimisht një momentum dhe shancë historike për një kohë të gjatë”.
“Argumenti i rrejshëm i tyre kur GjND e ka vulosur ligjshmërinë e pavarësisë sonë, është vetëm hipokrizi dhe është vetëm në shërbim të Rusisë dhe assesi të BE-së! Koha para nesh është një kohë e vetmisë dhe papërgjegjësisë së Qeverisë Kurti”, ka shkruar ai.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez të hënën nga Tirana foli edhe për qëndrimin e Spanjës ndaj njohjes së Kosovës, duke deklaruar se është shkelur e drejta ndërkombëtare.
“Miqtë e mirë si Shqipëria dhe Spanja mund të kenë mosmarrëveshjet e tyre. Ne mendojmë se është një shpallje e njëanshme e pavarësisë dhe mendojmë se është shkelur e drejta ndërkombëtare, ndaj nuk mund të jemi pro këtij pranimi. Këtë e themi me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar. Është një mendim që e ndajmë me Shqipërinë, por kjo nuk do të thotë se në kuadër të integrimeve evropiane nuk e promovojmë dialogun ndërmjet Serbisë dhe Prishtinës. Ky është pozicioni që kemi. Edhe miqtë e mirë mund të kenë dallime apo kontradikta mes njëri-tjetrit”, tha kryeministri spanjoll.
Lidhur me Kosovën, u pyet edhe ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili dje qëndroi në një vizitë në Vietnam.
Ai tha që stabiliteti dhe siguria në rajon është e rëndësishme për Greqinë, derisa kërkoi që të respektohet e drejta ndërkombëtare.
Siç raporton APE-MPE, Dendias gjithashtu tha se është mjedisi ai që do t’i lejojë Beogradit dhe Prishtinës të diskutojnë dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.