Hoxhaj: Ftesa për presidenten Osmani në Londër tregon se evropianët nuk e duan Kurtin në Samit

Prishtinë | 17 Kor 2024 | 20:07 | Nga Ekonomia Online


Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, konsideron se kryeministri Albin Kurti nuk është ftuar nesër në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Londër, megjithëse në këtë samit takohen kryeministrat, pasi është i padëshiruar për ndërkombëtarët.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoxhaj thotë se në vend të Kurtit është ftuar presidentja Vjosa Osmani, e kjo sipas tij, tregon se Kurti është gjithnjë e më i izoluar në ngjarjet e mëdha ndërkombëtare.

“Javën e kaluar nuk u ftua as në përvjetorin e 75 të themelimit të NATO-s në ShBA, ku 25-vjetori i çlirimit është ndër sukseset më të mëdha të NATO-s në historinë e saj dhe siguria në një botë të pasigurtë është prioritet i çdo shteti, dhe Kosova nuk ka qenë asnjëherë më shumë e kërcënuar se tani!

Këtë javë nuk udhëton as për në Londër, meqë nuk është ftuar as në Britani të Madhe. Sot kuptova se, meqë Bashkimi Evropian e bën protokollin e ftesave për këtë Samit, janë evropianët ata që nuk e duan Kurtin në Samit”, shkroi Hoxhaj.

Tutje, deputeti i PDK’së, thotë se “duhet të jesh i marrë e të besosh se BE shqyrton aplikacionin e një vendi për të marr statusin e kandidatit në BE, apo që evropianët të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, kur as nuk e ftojnë fare kryeministrin me një Samit joformal, por të rëndësishëm gjeopolitik, ku do jenë shumë kryeministra të BE dhe jashtë saj!”.

Po ashtu, Hoxhaj thotë se edhe Osmani nuk po i jep hapësirë askund Kurtit, duke e bërë atë të izoluar jo vetëm në botë, por edhe në Kosovë.

“Ftesa i ka ardhur zonjës Osmani dhe nga përvoja ime e gjatë në Qeveri, natyrisht ajo ka mundur ta delegojë ftesën te kryeministri. Delegimi i ftesa be bëhet shpesh në çdo shtet dhe e kemi bërë shpesh në Kosovë. Mirëpo, as ajo nuk po i jep hapësirë askund Kurtit, duke e bërë atë të izoluar jo vetëm në botë, por edhe në Kosovë!

Janë bërë më shumë se një muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, dhe ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje dhe as që dikush mendon që kjo duhet të ndodhë! E sanksinuar dhe e izoluar, sot Kosova është një demokraci pa opsione të zgjedhjes, një sovranitet i pa kuptim dhe një vend pa kurrfarë kredibiliteti ndërkombëtar”, tha Hoxhaj.

Të ngjashme