Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me rastin e 36-vjetorit të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut.
Hoxhaj ka thënë se Kurti nuk mund ta kujtojë dhe nderojë me fjalë Kushtetutën e Kaçanikut, ndërkohë që, sipas tij, Kushtetutën e sotme të Republikës së Kosovës e shkel dhe e përdhos çdo ditë.
“Nuk mund ta kujtosh dhe ta nderosh me fjalë Kushtetutën e Kaçanikut, e Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka dalë nga fryma dhe vizioni i saj shtetformues, e shkel dhe e përdhos çdo ditë, duke e çuar vendin drejt rrënimit të rendit kushtetues”, ka shkruar Hoxhaj.
Ish-kryediplomati ka theksuar se 36 vjet më parë, në Kaçanik, u vendosën themelet juridike dhe politike të shtetit të Kosovës, ndërsa ka akuzuar Kurtin se sot po përpiqet t’i rrënojë pikërisht ato themele.
“36 vjet më parë, në Kaçanik u vendosën themelet juridike dhe politike të shtetit tonë, pikërisht ato themele që, 36 vjet më vonë, Albin Kurti po përpiqet t’i rrënojë”, ka deklaruar ai.
Sipas Hoxhajt, Kushtetuta e Kaçanikut ishte një akt guximi, vizioni dhe rezistence kombëtare, i cili i hapi rrugë lirisë, pavarësisë dhe shtetit sovran.
Ai ka pretenduar se Kurti i ka kundërshtuar këto ideale shtetformuese që nga fillimi i angazhimit të tij politik, ndërsa sot, nga pozita e pushtetit, synon t’i rrënojë ato.
“Kushtetuta nuk nderohet me deklarata përkujtimore, por duke e respektuar dhe zbatuar atë”, ka përfunduar Hoxhaj.