Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj tha se ka parakushte dhe disponim për t’u dëghuar programi i kësaj partie.
Ai u shpreh që më 28 dhjetor do të ndodhë ndryshimi politik.
“Është vetëm fillimi i fushatës, nuk dua që të them po ndodh papritmas një përmbysje e madhe politike, por ka parakushte, ka disponim, ka atmosferë për ta pranuar mesazhin tonë, për ta dëgjuar programin e PDK-së”, tha ai në emisionin “DPT te Fidani”.
Hoxhaj gjithashtu u shpreh i bindur që Qeveria e ardhshme udhëhiqet nga PDK-ja, siç tha, në bashkëpunim me ish-opozitën.
“Unë besoj që kur të fillojë fushata zgjedhore, kur z.Hamza si kandidat për kryeministër t’i prezantojë elementet e platformës së tij, kur kandidatët për deputetë do të komunikojnë në çdo cep të Kosovës me elektoratin, jam i bindur që ndryshimi politik më 28 ndodhë dhe natyrisht që Qeveria e ardhme do të jetë Qeveri që udhëhiqet prej PDK-së, në bashkëpunim me partitë në opozitë”, tha ai.