Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës “që të mos merret me dialog teknik, por me çështje që përmbyllin shtendërtimin e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.
Në foltoren e Kuvendit ai e cilësoi samitin e fundit të Bashkimit Evropian si “samit të ndëshkimit”. U përfol gjatë se nga aty do të dalë një qëndrim pro liberalizimit të vizave për Kosovën, por një gjë e tillë s’u përfshi në konkluzat e samitit.
Hoxhaj ka thënë se duhet t’u dërgohet të gjitha vendeve anëtare një letër me të cilën tregohet se janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim.
“Samiti i fundit i BE-së ishte një samit i dështimit edhe për Kosovën edhe për Ballkanin dhe arsyeja pse dola këtu në tavolina është meqë e kemi kryeministrin këtu. Kërkoj që ai dhe qeveria e tij të mos prodhojnë lajme, por politika. Kërkoj prej Kurtit dhe Qeverisë që të gjitha institucionet dhe shteteve anëtare t’iu dërgohet me shkrim zyrtarisht se Kosova i ka plotësuar disa herë kriteret për liberalizimin e vizave”.
Deputeti i PDK-së, i kërkoi kryeministrit që “të mos prodhojë lajme, por politika”.
“Së dyti ne si PDK dhe si kuvend e kemi mbështetur Kurtin në qëndrimin e tij në raport me luftën në Ukrainë, por fakti që në samitin e fundit të NATO-s as nuk u ftuam teknikisht aty, tregoj që kjo qeveri ka nevojë të lëvizë prej lajmeve në prodhimin e politikave”, tha Hoxhaj.
“Tabela kryesore për të cilën duhet të luftojë Kosova është anëtarësimi në OKB. Aty varet se si sillemi në raport me Serbinë dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur heqë dorë kryeministri prej lajmeve dhe angazhohet në politikë. Qeveria dhe kryeministri mos të merren me çështje teknike, e dialog teknik që prodhojnë lajme, por me çështje që përmbyllin shtetndërtimin e Kosovës, dhe mendoj që kjo është tema kryesore që duhet të angazhohet kuvendit, por veçanërisht edhe qeveria”, tha Hoxhaj.