Hoxhaj: Kosova nga tash do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë

Prishtinë | 21 Pri 2020 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, ka thënë se Marrëveshja e Kyçjes në mes të KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO), që u përfundua dje, e ka bërë Kosovën të pavarur nga Serbia edhe në fushën e energjisë.


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës,  Enver Hoxhaj, përmes shkrimit në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo marrëveshje ia mundësoi Kosovës bashkimin në Bllokun Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë- Shqipëri.


Hoxhaj, gjithashtu tha se për implementimin e kësaj marrëveshjeje, duhet falenderuar miqtë ndërkombëtarë për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në realizimin e synimeve strategjike. 
Megjithatë, Hoxhaj gjithashtu shkroi se linja e interkonesionit Kosovë – Shqipëri, ka disa vite që ishte e bllokuar nga Serbia.


Shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:


Kosova nga tash do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë. Një marrëveshje e rëndësisë së madhe u përfundua dje, duke e bërë Kosovën të pavarur nga Serbia edhe në fushën e energjisë. Marrëveshja e Kyçjes së re në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO), ia mundësoi Kosovës bashkimin në Bllokun Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë- Shqipëri.Për implementimin e kësaj marrëveshjeje, duhet t’u jemi mirënjohës miqve tanë ndërkombëtarë për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në realizimin e synimeve tona strategjike. Ka disa vite që linja e interkonesionit Kosovë – Shqipëri është bllokuar për shkak të mos zbatimit, nga ana e Serbisë, të marrëveshjes energjetike në mes të Kosovës dhe Serbisë, që është arritur në Bruksel.

Të ngjashme