Hoxhaj kritikon ashpër qeverinë për mospjesëmarrje në Samitin botëror
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka kritikuar qeverinë Kurti për mospjesëmarrje në Samitin botëror.
Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sot dhe dje, 2500 delegatë nga 200 vende të botës janë mbledhur në Samitin e OKB-së për Klimën (UNCCC, COP26) në Glasgou! “Askush nga Kosova nuk është aty! Askush nuk ka bërë kërkesë zyrtare për pjesëmarrje nga Qeveria e Kosovës! A ka ndonjë aktivist të kësaj kauze, profesionistë të fushës apo gazetarë?!”, ka shkruar Hoxhaj.
Statusi i plotë:
Mirëmëngjesi Kosovë!
“Sa dioksid të karbonit emiton Kosova?”, më pyeste ministri i Jashtëm i Japonisë kur e pata takuar në dhjetorin e vitit 2012 në Tokio. Nuk ishte hera e parë që dëgjoja për një çështje të tillë dhe as për ndryshmet klimatike si kauzë globale! I thashë, shkurt, se emetimi i CO-2 ishte tejet i vogël në krahasim me shumë vende në Evropë dhe në botë!
Sot dhe dje, 2500 delegatë nga 200 vende të botës janë mbledhur në Samitin e OKB-së për Klimën (UNCCC, COP26) në Glasgou! Askush nga Kosova nuk është aty! Askush nuk ka bërë kërkesë zyrtare për pjesëmarrje nga Qeveria e Kosovës! A ka ndonjë aktivist të kësaj kauze, profesionistë të fushës apo gazetarë?!
Ky Samit do të ishte mundësi e mirë për të takuar liderë botërorë, për t’u thënë atyre se kjo temë është me rëndësi edhe për ne si Kosovë, për të siguruar mbështetje për këtë çështje, por edhe për tema të tjera të Kosovës! Sepse, aty nuk flitet vetëm për klimën, por është platformë e mirë për çdokënd tjetër!
Mos shkuarja e askujt në Samit tregon për dy gjëra. Së pari, se sa e madhe është mjegulla e iluzionit dhe e izolimit në të cilën e ka vendos Qeveria shtetin tonë. Së dyti, Samiti organizohet nga OKB-ja, ku Kosova nuk është shtet anëtar dhe kjo do të ishte mundësi e artë që Kosova të ftohej! Do të ishte mundësi që në ngjarje të OKB-së të jemi zëri i vetes sonë, të shfaqim interesim për atë çka e shqetëson botën dhe të kërkojmë nga ajo të na mbështesë në shqetësimet dhe kauzat tona.
Por, Samiti po mbahet në Glasgou të Skocisë, e Prishtinën politike ka kohë që e ka mbuluar mjegulla skoceze, e cila nuk lë vend për imagjinatë, as dije e as vullnet për të bërë diçka krejt të vogël ndërkombëtarisht për Kosovën!