Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, e ka cilësuar si “absurde” situatën aktuale politike në Kosovë, duke akuzuar Qeverinë në detyrë se po vazhdon të ushtrojë funksionin në kundërshtim me Kushtetutën, raporton Ekonomia Online.
Hoxhaj ka thënë se Kosova ka kaluar nëpër tri palë zgjedhje nacionale, ndërsa, sipas tij, nuk ka ndodhur më parë që një qeveri dhe ministrat të qëndrojnë për kaq gjatë në detyrë.
“Kjo se çfarë po ndodh në këtë vend është absurde dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës. Ne kemi pasur zgjedhje në shkurt, ne kemi pasur zgjedhje në dhjetor, dhe ne kemi pasur zgjedhje në qershor. Kemi pasur tri palë zgjedhje nacionale, datat i dini. Asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë e Kosovës që dikush, 18 muaj e 4 ditë, 18 muaj e 5 ditë, të qëndrojë në zyrat e Kryeministrit dhe ministrat të qëndrojnë në zyrat e tyre duke shkelur Kushtetutën e Kosovës, nenin 72”, tha ai.
Hoxhaj, duke iu referuar përvojës së tij si ministër, ka thënë se pas certifikimit si deputet e ka lënë postin ministror.
“Unë kam qenë katër herë anëtar i Qeverisë, sa herë jam betuar për deputet, sa herë jam certifikuar për deputet, e kam lëshuar zyrën si Ministër i Jashtëm dhe kam mbetur vetëm deputet i Kuvendit të Kosovës. Kjo çfarë po ndodh në këtë vend në këtë 18 muajt e fundit dhe në javën e fundit është që ne nuk e kemi një qeveri legjitime më. Dhe çfarë po ndodh është që opozita nuk është ilegjitime, e ka shpërbërë Kuvendin, e ka shuar çdo institucion demokratik. Qeveria nuk është legjitime. Ky zotëri nuk është kryeministër, është një deputet zaptues, është një deputet uzurpator i cili e ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit, i cili merr vendime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë”, tha ai.
Deputeti i PDK-së ka kërkuar rikthimin e rendit kushtetues dhe ka bërë thirrje që seanca e Kuvendit të thirret.
“Prandaj duhet të bëjmë çdo gjë të mundur që t’a rikthejmë rendin kushtetues. Rendi kushtetues rikthehet kur seancat e Kuvendit mbahen sipas ciklit të cilit do të duhet të mbahen. Nesër duhet të fillojë seanca e re dhe e ftojmë kryesuesin që ta ftojë — kryesuesin sipas moshës — që ta ftojë seancën e re”, tha ai.
