Ish-zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj Albin Kurtit, i cili sot ka publikuar nga zyra ligjore e kryeministrit të Kosovës, deklarim për marrëveshjen të cilësuar sekrete mes presidentit Hashim Thaçi e NATO-s për FSK-në.
Hoxhaj, përmes shkrimit në Facebook, ka kërkuar nga Kurti të tregojë se a është pro apo kundër partneritetit me NATO-n.
Kurti pretendon se me marrëveshjen e vitit 2013 të Thaçit me KFOR-in, presidenti në emër të Kosovës e barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.
Paralajmërohet inicimi i procedurës për shkarkimin e Thaçit
“Partneriteti i Kosovës me NATO-n është esencial për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës. Asnjë qeveri nuk ka mandat dhe nuk është zgjedhur të kundërshtojë partneritetin e Kosovës me NATO-n dhe Perëndimin. Kushdo që fuqizon këtë partneritet, e ka mandatin nga populli, e jo të kundërtën”, ka shkruar Hoxhaj.
Tutje ai ka shtuar se Qeveria duhet të paraqesë një program qeverisës dhe të tregojë përkushtimin ndaj partneritetit me NATO-n dhe aleatët perëndimorë.
“Deri tani ka shenja që kjo qeveri nuk ka njohuri për politikë të jashtme dhe po dëmton marrëdhëniet e Kosovës me perëndimin”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka theksuar se Kurti s’mund të rrijë neutral, por duhet të tregojë a është pro apo kundër partneritetit me NATO-n.
“Kryeministri nuk mund të rri neutral. Ai duhet të tregojë a është pro partneritetit me NATO-n që garanton sovranitetin e Kosovës apo kundër. Deri tani në çdo temë për politikë të jashtme ka mbajtur qëndrim neutral. Kryeministrat nuk zgjidhen për neutralitet, por për vendimmarrje. Neutralitet dhe kohë nuk ka në Kosovë”, ka shkruar Hoxhaj.