Hoxhaj: Penda e Dragaçinës, prioritet i PDK-së për zhvillimin e Suharekës dhe furnizimin me ujë

Prishtinë | 04 Dhj 2024 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vizituar sot kompaninë publike Hidroregjioni Jugor në Suharekë, ku u informua nga afër për projektet aktuale dhe të ardhshme që lidhen me furnizimin me ujë në komunën e Suharekës.

Në fokus të diskutimeve ishte projekti madhor i Pendës së Dragaçinës, një iniciativë që ka qenë pjesë e angazhimit të tij gjatë viteve 2017-2019 kur ai mbante postin e Zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës. Ky projekt do të sigurojë furnizim me ujë të pijshëm dhe do të mbështesë nevojat bujqësore për rajonin e Dragaçinës, një ndihmesë e madhe për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë.

Hoxhaj ka theksuar se ky projekt është bërë prioritet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe një angazhim personal i tij për të realizuar një ndër investimet më të rëndësishme për këtë komunë. Ai gjithashtu falënderoi drejtorin dhe menaxherët e Hidroregjionit Jugor për punën e palodhur që po bëjnë në furnizimin me ujë të qytetarëve të Suharekës, duke u siguruar që ky shërbim të ofrohet me cilësi dhe përgjegjësi.

Në takim u diskutua gjithashtu për nevojën e investimeve shtesë në vitin e ardhshëm për të përmbushur kërkesat e qytetarëve deri në realizimin e projektit të Pendës së Dragaçinës. Hoxhaj ka siguruar se ky projekt do të mbetet një prioritet i padiskutueshëm për të ardhmen e Suharekës dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone.

Të ngjashme