Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një prononcim për FrontOnline, ka komentuar takimin e sotëm mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, që do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borrell.
Hoxhaj, nuk pret dinamikë nga takimi i sotëm dhe as normalizim të marrëdhënieve shtetërore, duke e kosnideruar më shumë si takim për spektakël dhe për shou politik të Josef Borrellit, pasi që sipas tij ky është takimi i tij i fundit në këtë pozitë.
‘’Unë nuk kam asnjë pritje që ky takim do të sjellë ndonjë dinamikë të re mes Kosovës dhe Serbisë dhe as të normalizimit të marrëdhënieve ndër shtetërore, është vetëm një spektakël i Josef Borrellit, i cili e ka takimin e fundit të tij si Përfaqësues i Lartë i BE-së dhe ky është qëllimi final i takimit dhe asgjë më shumë’’ deklaron ai për FrontOnline.
Hoxhaj, thotë se ky takim nuk ka të bëjë asgjë me zbatimin e marrëveshjes, dhe përkundër saj ai deklaron se kryeministri Albin Kurti dhe Josef Borrell i kanë sjellur Kosovës një marrëveshje shumë të keqe.
‘’Absolut nuk sjellë përafrim të marrëveshjes finale, S’ka të bëjë asgjë me zbatimin e marrëveshjes, përkundrazi Borrell e ka kry mandatin e tij, ka dështuar ai bashkë me Kurtin në normalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke ia ofruar Kosovës një marrëveshje shumë të keqe dhe krejt se çka ndodhë është një spektakël’’ shprehet Hoxhaj.
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, thotë se ka informacione edhe nga Brukseli, se takimi i sotëm ka për qëllim të bëhet një spektakël nga Josef Borrell.
‘E them në bazë të informatave që kam nga Brukseli se qëllimi i takimit të sotëm është spektakël nga Borrell’’.
Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të takojë fillimisht kryeministrin Albin Kurti nga ora 16:30, ndërsa gjysmë ore më pas do të zhvillojë takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i përbashkët trepalësh është planifikuar të nisë në orën 18:00 dhe pas këtij takimi Borrell do të deklarohet për media.
Kryeministri Kurti tashmë ka udhëtuar për në Bruksel.
“Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e BE-së për takimin e sotëm.
BE tha se do të ketë deklarata për mediat nga kryediplomati Borrell përpara dhe në fund të takimeve.
Kryeministri Kurti dje tha se beson që takimi me presidentin serb në Bruksel do të jetë “në funksion të rikapitulimit të këtij procesi trevjeçar” të dialogut.
“Besoj që përveç tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilateral do të jetë në funksion të rikapitulimit të këtij procesi trevjeçar. Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, tha ai në një deklarim para gazetarëve dje.
Ky është takimi i parë që do të zhvillohet mes dy liderëve pas sulmit terrorist në Banjskë