Ministri i Punëve te Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka promovuar sot në Tiranë, librin e tij kushtuar politikës së jashtme të Kosovës, të botuar në qershor të këtij viti, “Ngritja e një shteti”.
Megjithëse libri trajton ngjarje të shumta të aktivitetit politik që nga lufta për çlirim të Kosovës e tutje, interesim të veçantë gjatë promovimit ka zgjuar trajtimi i marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri, temë të cilës Hoxhaj i ka kushtuar pothuajse një kapitull të librit.
Hoxhaj tha se marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri janë të shkëlqyera dhe se të dy shtetet kanë shumë çka të mësojnë nga njëra tjetra.
“Marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Pa dyshim edhe Kosova edhe Shqipëria kanë shumë për të mësuar nga njëra tjetra dhe nga proceset që kanë kaluar”, deklaroi Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se Kosova e sheh Shqipërinë si partnerin më të natyrshëm dhe më strategjik në krahasim me çdo shtet në rajon.
“Kosova e sheh Shqipërinë si partnerin më të natyrshëm – për shkaqe historike, kulturore dhe politike. Në të njëjtën kohë për shkaqe të njëjta, Shqipëria është partneri më strategjik për Kosovën në krahasim me shtetet e rajonit”, ka shtuar Hoxhaj.
Hoxhaj ka shprehur mirënjohje për kontributin e shtetit Shqiptar dhënë për Kosovën gjatë proceseve më delikate nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës.
“Natyrisht që objektiv i shtetit shqiptar gjatë tërë shekullit 20 ka qenë pavarësia dhe pa Shqipërinë e pavarur nuk do të kishte Kosovë të pavarur. Pavarësia e Kosovës është investim dhe përpjekje e çdo shqiptari qoftë në Shqipëri, Maqedoni, Preshevë dhe Mal të Zi.
Nëse në Presheve dhe Mal të Zi nuk kanë pasur instrumente politike, ata kanë luftuar për çlirimin e Kosovës. Ne nuk e harrojmë asnjëherë ndihmën që shteti shqiptar ia ka dhënë popullit shqiptar.
Shteti shqiptar dhe roli i shtetit shqiptar sot, nesër dhe në të ardhmen është i patjetërsueshëm. Raportet tona do të jenë ato që kanë qenë deri më tash”, ka përfunduar Hoxhaj.
Promovimi i librit “Ngritja e një shteti” ka zgjuar interesim të madh në Tiranë, duke mbledhur shumë njerëz nga sfera të ndryshme.