Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se qeveria duhet të distancohet nga deklaratat e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Hoxhaj tha se deklaratat e ministres Gërvalla janë të paprecedentë, dhe se kur flet ministrja e jashtme flet Qeveria.
“Ajo çfarë po bënë zonja Gërvalla, e cila në emër të Qeverisë së Kosovës po e godet luftën tonë të drejtë dhe të shenjtë, luftën e UÇK është e paprecedente. Kur fol ministri i jashtëm, fol Qeveria”, tha Hoxhaj.
Ai tutje shtoi se Gërvalla po flet sikur të ishte ministre e Serbisë ose Rusisë.
“Nëse ky është qëndrimi i Qeverisë në raport me të kaluarën tonë historike, me luftën tonë të lavdishme dhe mënyrën sesi zonja Gërvalla çdo ditë po e godet UCK dhe po flet sikur të ishte ministre e jashtme e një shteti kundërshtar të Kosovës, të Serbisë apo Rusisë, është temë serioze e ka shkel çdo kufi të mundshëm të komunikimit partiak dhe ne presim nga z.Kurti dhe Qeveria e tij që të distancohet. Nëse Kurti ka pikëpamje tjetër do të duhej të distancohet”, u shpreh Hoxhaj.
“Është temë serioze që e dëmton të ardhmen e Kosovës dhe identitetin tonë si popull dhe si komb”, tha ai.