Banorët serbë të katër komunave veriore ka disa ditë që kanë filluar “inskenimin” e një krize humanitare.
Kjo sipas tyre për shkak të taksës 100 për qind për prodhimet serbe te vendosur nga Qeveria e Kosovës.
Njëjtë nuk po mendon edhe ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, e cila një kohë të gjatë ka administruar me Zyrën në Veri.
Ajo në një intervistë për EkonomiaOnline pranon se në katër komunat veriore, ka mungesë të disa artikujve ushqimorë dhe se raftet janë gjysmë të zbrazur, por krejt këtë e quan “lojë politike”.
“Për qytetarët nuk është e lehtë. Krizë humanitare, është një lojë politike, janë vendimet politike që po i bëjnë viktima vetë qytetarët. Unë mund të them që dje edhe sot, raftet në dyqane të Mitrovicës Veriore, kanë qenë gjysmë të zbrazura. Dyshoj që prapa kësaj janë politikat e larta”, tha Hoxhiq.
Hoxhiq shprehet se pas vendosjes së taksës, në veri është krijuar një situatë e tensionuar.
Shpreson se Kosova dhe Serbia do të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të tejkaluar këtë situatë.
“Është e vërtetë që në teren është krijua një tension, ky ka qenë një vendim politik dhe për të bërë zgjidhje prapë është i nevojshëm një vendim politik. Unë shpresoj që të dy palët do të gjejnë kompromisin i cili do të rezultojë me diçka të mirë për vetë qytetarët të cilët jetojnë në komunën veriore. Unë si Ministre e MAPL-së, jam këtu me i zbatua vendimet të cilat i marr.
Hoxhiq shprehet kundër taksës dhe shton se të dyja vendet, Kosova dhe Serbia duhet të kenë tregti të lirë.
“Unë mendoj që ekonomia duhet të jetë e lirë, zhvillimi ekonomik duhet të jetë në interes të të gjithëve. Vendimet politike duhet të ndryshohen dhe mendoj që është e nevojshme të gjejmë një kompromis. Unë shpresoj që të dy palët që janë në procesin e dialogut, të gjejnë një kompromis, ku dy palët do të jenë të kënaqura ose nuk do jenë të kënaqura”, tha ajo.
Me gjithë insistimet nga Serbia që taksa të shfuqizohet, autoritetet e Prishtinës kanë përsëritur se taksa do të mbetet në fuqi.
Sipas Qeverisë së Kosovës, zbatimi i kësaj takse, përveç efekteve politike që synojnë të ndëshkojnë qëndrimet lobuese të Serbisë karshi Kosovës, ka prodhuar edhe efekte ekonomike.