Hoxhë Shefqet Krasniqi, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame, duke komentuar rolet gjinore sipas Islamit, ka deklaruar se kuzhina përgjithësisht është e grave dhe se do të duhej të kishte ndarje mbi baza gjinore të odave. Këto komente të Krasniqit ngjallën shumë reagime në shoqërinë kosovare.
Ndaj tyre reaguan politikanë, profesorë e anëtarë të shoqërisë civile, të cilët i cilësuan komentet e Krasniqit si seksiste dhe deskriminuese ndaj grave, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”
Krasniqi në Debat Plus teksa shpjegonte rolet gjinore sipas Islamit dhe përshtatshmërisë së Kuranit me botën bashkëkohore, tha se “përgjithësisht grave u takon kuzhina”.
“Ne mburremi me gratë tona, me Shotë Galicën, nënën Zahide. Pse a s’ka burra kuzhinier që e bëjnë bukën për mrekulli më mirë se gratë? Megjithatë, ajo që është e përgjithshme në kuzhinë, se kuzhina është e grave”, tha imami Krasniqi, shkruan Reporteri.net.
Për hoxhën Drilon Gashi këto deklarata diskriminuese të Krasniqit janë të vjetëruara ngase Zoti thotë në Kuran se gruaja dhe burri janë krijuar të barabartë.
Madje, imami që u suspendua nga Bashkësia Islame e Kosovës për shkak të deklaratave të tij rreth teorisë së evolucionit, tha se gjuha e hoxhollarëve është e mumifikuar.
“E kam dëgju këtë deklaratë që bëri bujë në rrjetet sociale. Në fakt, deklarata të ngjashme kemi dëgju në vazhdimësi. Sipas Kuranit burrat dhe gratë janë krijuar të barabartë dhe janë njësoj njëjtë të përgjegjshëm për veprimet e tyre në syte e Zotit. Kutia e tyre e mjeteve është e vjetëruar dhe e ndryshkur. Idetë e tyre janë të tejkaluara nga modernizmi dhe gjuha e tyrë është e mumifikuar si ajo monedha që njerëzit e shpellës mendonin se ishte ende e përdorshme”, tha Gashi për Reporteri.net.
Sipas Gashit, hoxhë Krasniqi do të duhej të kërkonte falje për këto deklarata diskriminuese. Ndryshe ai nuk meriton ndonjë pozitë në vendin ku presidenti i vendit është grua.
“Nëse i qëndron pas dhe nuk kërkon falje për këtë deklaratë, ai dhe kompania e tij nuk meritojnë pozita zyrtare në një vend ku kreu i shtetit është grua”, tha Gashi, shkruan Reporteri.net.
Ndërkaq Bekim Jashari, kryeimam i Podujevës, ka thënë për Reporteri.net se hoxhë Krasniqin se dëgjon kurrë.
“Në secilën shoqëri mund të ketë injorancë, por më e rrezikshme është kur ajo injorancë cilësohet e shenjtë. Pa dashur të komentoj shumë, në praktikën time nuk e rekomandoj të komentoj për dikë që kurrë se dëgjoj”, tha Jashari, shkruan Reporteri.net.
Tutje hoxha i Podujevës tha se Islami nuk lejon mbisundim në baza gjinore.
“As që diskutohet barabarsësia e tyre. Janë me përgjëgjsi të plëtë në shoqëri. Gruaja e ka vendin në arsim, sport, zhvillim, mësimdhënie e kudo. Krahas burrave apo meshkujve secili ka detyrë e përgjegjësi. Shikoni Xhevë Lladrovcin ajo është shembulli më i mirë për gruan në përpjekjen e saj për liri. Ka kaluar koha e nënshtrimit dhe mbi sundimit. Islami nuk lejon mbisundim në baza gjinore”, tha Jashari, shkruan Reporteri.net.
Sipas hoxhës nga Peja, gruaja duhet të pavarësohet ekonomikisht.
“Nëse gruaja do të punësohej e pavarësohej ekonomikisht, ajo nuk do të diskriminohej dhe nuk do t’i imponohej asgjë pa vullnetin e saj të lirë”, tha Gashi, shkruan Reporteir.net.
Imami i përjashtuar nga puna, tha se përgjatë historisë islame, gruas nuk i është dhënë statusi i duhur në shoqëri nga feja zyrtare.
Për deklaratat e Krasniqi, Reporteri.net ka kërkuar një qëndrim edhe nga ana e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe nëse ky institucion i vlerëson si seksiste dhe diskriminuese deklaratat e profesorit të Fakultetit të Studimeve Islame.
Por deri në publikimin e këtij shkrimi, ata nuk kanë kthyer përgjigje.