Hoyt Yee në Shkup, pritet presion më i fuqishëm mbi Gruevskin

Prishtinë | 30 Pri 2017 | 09:10 | Nga

Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, sot dhe nesër qëndron në Maqedoni, ndërsa në takimet me zyrtarët e lartë dhe përfaqësuesit e partive politike në fokus ka krizën politike, e cila u përshkallëzua me dhunë në Kuvend, si pasojë e ndërhyrjes së protestuesve kundër formimit të institucioneve nga shumica e re parlamentare.

Në njoftimin e Ambasadës Amerikane bëhet e ditur se zyrtari i lartë nga Uashingtoni do të takojë presidentin Gjorge Ivanov, kryetarin e sapo zgjedhur të Kuvendit, Talat Xhaferi, kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev, kryetarin e VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, të BDI-së, Ali Ahmeti, të lëvizjes Besa, Bilall Kasami, përfaqesuesin e Aleancës për Shqiptarët, Vesel Memedi, dhe kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Vizita e diplomatit të lartë nga Uashingtoni realizohet tri ditë pas dhunës në Kuvend, i cili për disa orë u pushtua nga protestuesit e afërt me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, të cilët nuk njohin zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit.

Fizikisht ata sulmuan shumë deputetë të LSDM-së dhe më së keqi i pësoi lideri i partisë, Zoran Zaev, kandidat për kryeministër.

Në mesin e të rrahurve është edhe Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, i cili ende vazhdon të trajtohet në spital.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare besojnë në ndërhyrje më të fuqishme nga SHB-ja kundër atij që e quajnë regjim të Gruevskit, për të parandaluar skenarë të tjerë që mund të destabilizojnë Maqedoninë drejt një konflikti edhe ndëretnike.

“VMRO DPME-ja e Nikolla Gruevskit do të tentojë të përdorë forma të ndryshme për ta penguar funksionimin e kryeparlamentarit, mirëpo shpresoj se tani ndërkombëtarët, e në veçanti SHBA-ja, do të përdorin instrumente më efikase për ta neutralizuar apo izoluar nga veprimi i mëtejmë destruktiv që mund të jetë edhe më i rrezikshme për stabilitetin e vendit”, thotë Ismet Ramadani, drejtues i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.

Ai thekson nevojën e veprimit sa më të shpejtë të kryeparlamntarit Xhaferi dhe të shumicës parlamentare për formimin edhe të qeverisë. Ai thotë se kreu i Kuvendit duhet t’i nisë një letër presidentit Ivanov me kërkesën për mandatimin e Zaevit për kryeministër dhe nëse këtë nuk e bën, atëherë sipas tij, shumica parlamentare duhet vetë që të zgjedhë edhe qeverinë e re.

Ish -kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjedhja e Talat Xhaferit për kryeparlamentar është legjitime dhe se ai duhet të vazhdojë me hapat tjerë për zgjedhjen e qeverisë.

Andov thotë se ajo që ka ndodhur në Maqedoni me sulmin ndaj deputetëve të Kuvendit nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës.

“Kryetar të Kuvendit zgjedh vetëm se shumica parlamentare dhe askush tjetër. Çdo pretendim tjetër se populli duhet të vendosë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, është qesharak dhe me qëllim të caktuar. Talat Xhaferi ka marrë shumicën e votave dhe ai tani duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet për formimin sa më të shpejtë të qeverisë. Gjithashtu, duhet të ndërmerren të gjitha procedurat e nevojshme për nxjerrjen para drejtësisë të atyre që lejuan ushtrimin e dhunës ndaj të zgjedhurve të popullit”.

“Kjo është e patolerueshme dhe besoj se jemi shteti i vetëm që ka ndodhur diçka e tillë. Si kryeparlamentar në tre mandate kam parë raste kur janë rrahur deputetët mes vete, por asnjëherë që brenda Kuvendit të hyjnë njerëz dhe t’i rrahin deputetët. Kjo ishte e tmerrshme”, thekson Andov duke besuar në ndihmën edhe të faktorit ndërkombëtar për kapërcimin sa më të shpejtë të krizës.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike, thotë se gishti duhet drejtuar nga presidenti Ivanov, i cili është një nga pengesat kryesore për zgjedhjen e qeverisë. Sinani konsideron se lajmi se zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee do të takohet edhe me presidentin Ivanov, është sinjal i mirë duke marrë parasysh se kreu i shtetit më parë kishte refuzuar të takohet me zyrtarë të lartë nga Brukseli.

“Mendoj se Hoyt Yee do të jetë i vendosur që të vazhdohet më tutje dhe tani pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, të zgjidhet edhe qeveria e re që do të drejtohet nga Zoran Zaev, e cila do ta nxjerrw vendin nga kriza në të cilën e ka çuar Nikolla Gruevski”, thotë Sinani.

Ditë më parë ambasadat e huaja në Shkup dënuan ashpër dhunën ndaj deputetëve duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe dënimin e autorëve.

“Sulmi ndaj një institucioni shtetëror, i cili paraqet zemrën e demokracisë, është sulme ndaj vetë demokracisë. Presim që këto vepra penale të hetohen në mënyrë sa më të shpejtë dhe organizatorët e autorët e sulmit të sillen para drejtësisë”, thuhej veç tjerash në deklaratën e përbashkët të delegacionit të BE-së, Ambasadës amerikane, misionit të OSBE-së dhe zyrës së NATO-s. (REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme