Konferenca e dytë Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien dhe të Drejtat e Fëmijëve ka vazhduar edhe sot gjatë së cilës u prezantuan punime të ndryshme lidhur me të drejtat e fëmijëve, raporton EkonomiaOnline.
Roland Sylejmani, ka prezantuar hulumtimin “Të drejtat e Fëmijëve në Rrethana Lufte – Rasti i Kosovës”.
Ai ndau momente gjatë kohës kur kishin ndodhur helmimet e nxënësve nëpër shkolla, moment ky që sipas tij ndikoi dukshëm tek prindërit të cilët tani hezitonin t’i dërgonin në shkollë për shkaqe sigurie.
“Rasti i parë është kur sistemi arsimor thyhet dhe nisë mungesa e besimit në sistemin arsimor në Kosovë në fund të viteve 80-ta. Ndodh për shkak të helmimit të nxënësve në shkolla fillore, të mesme dhe parashkollore. Kur ndodhë kjo prindit hezitojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkolla dhe për fat të keq në ditën kur helmohen, mjekët të atëhershëm të regjimit ish jugosllav refuzojnë t’iu japin ndihmë. Kjo ka prodhua një pasojë tjetër kur ka nisë rithemelimi i shkollave nëpër shtëpi për shkak të mosbesimit të shqiptarëve në sistemin ish jugosllav”, tha ai.
Në raportin e prezantuar u bë e ditur se gjatë luftës së fundit në Kosovë, u vranë mbi 1 100 fëmijë, ndërsa 255 rezultojnë ende të zhdukur. Po ashtu shumë fëmijë edhe u masakruan.
“Masakrat më të mëdha kanë qenë ajo e Mejës në Gjakovë ku në të mesin e të vrarëve gjysma kanë qenë fëmijë, gra e pleq. Masakër thetër ka qenë ajo e Ruzallës, Izbicës, Suharekës etj. Masakra e Mejës e bën Gjakovëm vendin me numrin më të madh të fëmijëve të vrarë gjatë luftës. Mbi 1100 fëmijëve të vrarë janë nën moshën 16 vjeçare. Nga 1355 personave të zhdukur janë 255 fëmijë nën moshën 16 vjeçare”, tha ai
Ai ka treguar edhe historinë e familjes Caka nga Gjakova prej të cilëve shumë fëmijë mbetën të vrarë e një nga ta, Dren Caka ishte i vetmi që shpëtoi e që dëshmoi në Tribunalin e Hagës. Sylejmani ka dhënë disa rekomandime.
“Secili institucion është dashtë të ketë parasysh tri gjëra: fuqizimi mekanizmave që të mos harrohet asnjëherë ajo që ka ndodhë, themelimi një instituti kërkimor që i dokumenton krimet ndaj fëmijëve dhe themelimi i një trupe institucionale që do të bënte kërkimin e fëmijëve të zhdukur nga lufta e vitit 1999”, tha ai.
Arbnora Sahiti, ka prezantuar projektin “A healthy mind, a healthy life” për të cilin tha se kanë përfshirë fëmijët në aktivitete të ndryshme për të mësuar rëndësinë e shëndetit mendor.