Ajo që pritej edhe ndodhi. Partia Demokratike e mori rezultatin se saj më të keq në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Dhe ky bilanc nuk është një zhvillim i mirë për politikën shqiptare. Mjerë ajo shoqëri që nuk ka opozitë të fortë dhe të konsoliduar. Ku kjo e fundit nuk mobilizohet kundër pushtetit, por kundër vetvetes.
Mirëpo, fatkeqësia e Partisë Demokratike, por edhe shumë partive tjera shqiptare, qëndron pikërisht në atë, që ditë më parë e kam quajtur fryma putiniste e tyre. Është ky mentalitet që nuk i lejon ato të zhvillohen dhe konsolidohen. Dhe i kushtëzon secilën prej tyre që të prodhojnë vetëm surrogatin e liderit. Simulimin e demokracisë. Dhe këtu pa dyshim se përgjegjës për këtë degradim është edhe Sali Berisha. Ai u tërhoq formalisht nga drejtimi i partisë, por nëpërmjet trashëgimtarit të tij i ruajti tentakulat e pushtetit personal me të. E etabloi atë lloj të liderit që është prototip i Medvedevit.
Kurse Lulëzim Basha është po ashtu fajtor se pse ka pranuar që të instrumentalizohet në këtë mënyrë për një kohë shumë të gjatë. Të kënaqet me pozitën e liderit pa qenë në të vërtetë i tillë. Duke harruar faktin se çdo pushtet që dhurohet, por nuk fitohet mund të merret kur do që demiurgu real politik e sheh të arsyeshme. Dhe Lulëzim Bashës iu mor ku pushtet në formën më të palavdishme dhe të turpshme në karrierën e tij.
Prandaj, bilanci elektoral i ditës së diel nuk ishte asgjë tjetër, pos kronika e një humbjeje të paralajmëruar qe një kohë të gjatë.