Kosova nuk ka luajtur asnjëherë ndaj Moldavisë, por futbollistët kosovarë kanë kontribuar në fitoret ndaj kësaj përfaqësuese.
Bëhet fjalë për futbollistët nga Kosova që luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë.
Moldavia, që është në seri prej tetë humbjeve rresht, ka luajtur pesë herë ndaj Shqipërisë deri më tani. Ka katër humbje e një barazim në miqësore.
Dy herë Shqipëria e mposhti Moldavinë në vitin 1995, me rezultatin 3:0 dhe 3:2. Një miqësore e vitit 2012 përfundoi pa gola, kurse dy humbje tjera moldavëve, kuqezinjtë ua shkaktuan vitin e kaluar.
Në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”, Shqipëria fitoi 2:0 ndaj Moldavisë më 11 qershor 2019 në Elbasan. Sokol Çikalleshi dhe Ylber Ramadani realizuan golat.
Ndërkohë më 14 tetor të vitit të kaluar në Chisinau, Shqipëria fitoi edhe më thellë, 4:0. Çikalleshi shënoi sërish e pos tij rrugën drejt portës e gjetën edhe Keidi Bare, Lorenc Trashi e Rey Manaj.
Shpresat janë për një fitore të “dardanëve” në Itali, në fillim të kampanjës së re në Ligën e Kombeve. Kosova tani është në Ligën C të Ligës së Kombeve, por prioritet e ka të përgatit ekipin për ndeshjen ndaj Maqedonisë Veriore. Ndeshja ndaj Maqedonisë i takon plejofit për kualifikim në “Euro 2020”. Luhet muajin tjetër.