Deputeti i pavarur, Fatmir Humolli, ka theksuar për rëndësinë e funksionimit të shtetit të Kosovës në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.
Pos kësaj, ai ka shprehur domosdoshmërinë se çdo gjë që shkel këto norma është e paligjshme, duke përfshirë këtu edhe funksionimin e dinarit në Kosovë.
Sipas tij sot po goditen veteranët e luftës dhe tendenca është për me i shti në luftë qytetarë e veteranë mes vete.
“Qeveria aktuale sot i len veteranët me 170 Euro dhe i paguan në mënyrë poshtëruese. Me ardhë në pyetje ushtari i UÇK-së, me votu kundër veteranit të luftës është për mjerim. Me ardhë në shprehje veterani i luftës në Kuvend të Kosovës mes Radojçiqit dhe propozimit tem me votu për Radojçiqin, kjo është tmerr. Kjo ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, ku deputeti i Kosovës ka qenë në krah të Radojçiqit dhe jo në propozimin tim”, ka thënë Humolli.
Tutje ai tha në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini se ndërkombëtarët e kanë zhbërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne na ka nxën lufta shumë të paorganizuar, Lufta e UÇK-së dhe ne në luftë e sipër jemi organizuar dhe kemi detyruar bashkësinë ndërkombëtare për të intervenuar. Kurse të njëjtën periudhë tash ata të cilët e kanë zhvilluar luftën speciale viteve të ’90-ta kundër të burgosërve politikë e viteve të 80’ta kundër veprimtarëvë politikë. Mas luftës e kanë filluar luftën politike speciale kundër veteranëvë të luftës, kundër institucioneve të cilët kanë punuar për çlirimin e vendit tonë”, ka vijuar ai.
Më tej ai ka thënë se “bashkësia ndërkombëtare së bashku me Serbinë, një institucion që e kemi krijuar me gjak e ka zhbë UÇK-në. Ata që ska mujt Serbia me shkatërru, e kanë shkatërruar mekanizmat ndërkombëtar së bashku me klasën tonë politike e cila nuk e ka vlerësuar pozicionin politik pse janë këto veprime”.
“Sot nuk kuptohet se çfarë dëmi bënë kur e godet veteranin e luftës, çfarë dëmi i bënë ardhmërisë sonë. Ai mendon që po e mbron buxhetin e Kosovës prej një veterani të luftës, a nuk e kupton që duke goditur veteranin e luftës, ti ke goditur moralin luftarak të një kategorie njerëzish, ata të cilët luftojnë për vend, edhe Serbia na ka goditur ashtu”, ka vijuar ai.
“Shteti i Kosovës duhet të funksionjë si shtet në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Gjithçka që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës është veprim ilegal. Dinari në Kosovë ka funksionuar ilegalisht e përderisa ka funksionuar ilegalisht e ka për detyrë shteti me marrë masa kundër çdo veprimi që bëhet ilegalisht në vend tonë”, është shprehur Humolli.