Deputeti i pavarur, Fatmir Humolli ka thënë se është e papranueshme që me përfaqësues të Listës Serbe të diskutosh për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë deklaratë ai e dha duke komentuar bisedën e vitit të kaluar në mes të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës me Slavko Simiqin, bisedë kjo që u publikua këtë javë në media.
Humolli në emisioni “Ditari” në Tëvë 1 tha se cilido prej deputetëve që dje e ka votuar Ligjin për Pagën Minimale ka votuar siç ka thënë ‘krimineli serb’, duke ju referuar Milan Radojçiqit, i cili është në kërkim nga organet e drejtësisë në Kosovë dhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Biseda që është bërë me të nuk është fort tragjike. Por të diskutosh për temën e veteranëve është e papranueshme për mua. Ai nuk e ka përfaqësuar se paku grupin parlamentar që kam qenë unë (LVV)…vetëm mua nuk më ka përfaqësuar, por LVV-në e ka përfaqësuar. Kushdo prej deputeteve që dje e ka votuar pagën minimale që t’i largojë veteranët e luftës, ka votuar siç ka thënë krimineli serb. Dhe tash nuk kanë të drejtë të thonë nuk më ka përfaqësuar Mimoza. Ajo e ka përfaqësuar VV-në, e ka përfaqësuar kryeministrin, Kurti. Dmth nuk ka diskutim më. Mimoza vetë është deklaruar se e kam njoftuar (Kurtin), ajo ka thënë se e ka njoftuar për bisedat. Tash është e padrejtë me ju gjuajt vetëm Mimozës, pasi ajo e ka pasur mision, detyrë prej grupit që të sigurojë sa më shumë vota që t’i kalojë edhe ligjet që i pëlqejnë Serbisë”, u shpreh Humolli.
Ai tha se para largimit nga Vetëvendosje nuk ka qenë në dijeni për kontaktin që kishin zyrtarë e kësaj partie me përfaqësues të Listës Serbe.
Kujtojmë se në audioincizet e publikuara në media dëgjohet Mimoza Kusari-Lila duke biseduar me Slavko Simiqin për çështje të ndryshme, duke përfshirë edhe çështjën e veteranëve të luftës. Në këto incizime Simiq përmend disa biseda të Kusari-Lilës me Milan Radojçiqin.