Lirimi i 3 policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer në veri, ka nxitur reagimet e para.
Shteti hungarez ka marrë pak merita lidhur me vendimin e Gjykatës së Kralevës.
Përmes një postimi në Facebook, ministri Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka informuar kryeministrin Viktor Orban për lirimin e policëve.
Ka shtuar se lirimi i policëve pas kërkesës së Hungarisë është dëshmi e qartë e miqësisë me Serbinë.
“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sapo e njoftoi kryeministrin Viktor Orbán se, sipas kërkesës së paraqitur në takimin e tyre javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se Orbán vlerëson hapin e ndërmarrë nga presidenti serb “në një periudhë sfidash serioze, që është një dëshmi e qartë e miqësisë së thellë mes kombeve serbe dhe hungareze dhe e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve”.
Ditë më parë kryeministri i Hungarisë, Orban, pati takim me presidentin serb.
” Ne hungarezët e shohim këtë dhe na është e qartë, këtu është ky rasti, këta tre policë të Kosovës, ju lus me respekt, i nderuari president Aleksandër, të mendoni mirë për këtë, armiqtë e Serbisë mezi presin t’ju bëjnë keq, të dëmtojnë Serbinë, dhe kjo është një situatë e tillë, një temë e tillë në të cilën mendoj se do të ishte mirë të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë, për t’i kthyer këta tre shqiptarë në Kosovë. Unë mendoj se kjo do t’ju ndihmonte që kauzën tuaj ta përmisoni, prandaj ju lutemi të mendoni për këtë”, kishte thënë Orban.