Njëzetenjë persona konsiderohen ende të pagjetur, pas përmbytjes së varkës me turistë koreanojugorë në ujërat e lumit Danub të mërkurën vonë në kryeqytetin hungarez, Budapest, ka njoftuar të enjten policia vendore.
Adrian Pal, një zëdhënës i policisë, ka thënë gjatë konferencës për shtyp se varka me turistë u përmbyt pothuajse menjëherë pas përplasjes me një anije të madhe udhëtarësh, në njërën prej urave të lumit Danub, ka raportuar “Reuters”.
Bazuar në rrethanat, policia menjëherë i ka nisur hetimet kriminale rreth aksidentit.
Policia ka njoftuar po ashtu se mund të nevojiten disa ditë për nxjerrjen e varkës nga shtrati i lumit teksa nuk ka konfirmuar dhe as mohuar nëse mund të ketë edhe të vdekur të tjerë nga aksidenti. Përmbytja që ndodhi të mërkurën vonë ka lënë të vdekur së paku tetë veta, ndërkaq konsiderohen si minimale gjasat për shpëtimin e 21 turistëve të pagjetur koreanojugorë.