Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, vlerëson se vajzat dhe gratë në Kosovë nuk kanë qenë të barabarta në punësim. Por, sipas tij, largimi i meshkujve në vendet perëndimore, ka bërë që shumë kompani t’i plotësojnë vendet me të punësuara gra.
“Ne si shoqëri, e dimë që gruaja, femrat nuk kanë qenë një kohë të gjatë të barabarta, ose së paku nëse e bëjmë një krahasim me vendet perëndimore, femra në Kosovë nuk ka qenë gjithmonë e barabartë… Por unë besoj që kjo është duke u përmirësuar, edhe mund të jetë edhe për një arsye që nuk është ndoshta më e mira, në kuptimin mirë që po përmirësohet, por e kam fjalën se largimi i madh i të rinjve, sidomos i gjinisë mashkullore, në drejtim të vendeve perëndimore, ka nxitur që shumë prej kompanive tani kanë filluar që t’i plotësojnë vendet e tyre me të punësuara femra”, deklaroi Huruglica në Tëvë 1.
Ai theksoi se numër i madh i dyqaneve që shesin pajisje ndërtimore, ndryshe nga e kaluara, tani kanë të punësuara 80% punëtore gra.
“Pa dashur të përmend emra specifikë, në një numër të madh të dyqaneve ose qendrave të cilat shesin pajisje ndërtimore ose tjera, ku në të kaluarën ka qenë shumë e vështirë ta gjesh një femër që punon në atë sektor, sot ndoshta 80% e punëtorëve janë femra. Ka filluar të ndryshojë, por unë besoj se kjo nuk është rezultat i emancipimit tonë, është më shumë rezuItat i nevojës për të plotësuar vendet nga mungesa e fuqisë punëtore”, shtoi Huruglica.