Hyjnë me forcë në shkollën e Suharekës, të dyshuarit dëmtojnë dollapet dhe marrin dy llaptopë

Prishtinë | 04 Gus 2026 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Disa persona të panjohur dyshohet se kanë hyrë me forcë në shkollën fillore “Iliria” në Savrorë të Suharekës.

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani për KosovaPress tha se nuk është dëmtuar asgjë.

“Kurgjë s’kanë bërë dëm. Veç që kanë hyrë edhe kanë qëndruar pak aty, dritarja ka qenë hap, por kurgjë s’kanë demoluar”, tha Bajselmani.

Ndërsa drejtori i shkollës, Xhemajl Zenelaj për KosovaPress tha se rasti ka ndodhur dje në mëngjes, ku të dyshuarit kanë hyrë brenda objektit nga dritarja që ishte e hapur dhe kanë qëndruar përafërsisht 4 orë.

“Po dje, dje në mëngjes kemi shkuar në shkollë aty nga ora 07:20 edhe kanë hyrë për dritare prej anës së brendshme, e kanë çelur shkollën…Edhe kanë hyrë në një klasë, kanë ndenjur aty ndoshta ndonjë 2-3 orë a 4 orë aty në klasë”, tha Zenelaj.

Ai tha se në shkollë po mungojnë dy llaptopa, derisa janë dëmtuar dritarja dhe dollapet.

“Po mungojnë dy llaptopa dhe janë dëmtuar dollapat e klasëve…Edhe dritarja që është thyer, tjetër gjë s’po vërehet”, tha tutje ai.

E zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se policia tashmë është duke e hetuar rastin.

“Policia ka nisur hetimet, është duke u marre me rastin dhe po heton se kush janë të dyshuarit”, tha Bytyqi.

Shkolla “Iliria” në Savrorë të Suharekës nuk është përballur më herët me situata të tilla.

Të ngjashme