Hyn në fuqi ligji “anti-LGBT” në Hungari, BE kritika të shumta

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Një ligj kontrovers në Hungari, që ndalon materialet që mund të shihen si promovim i homoseksualitetit ose ndërrimit të gjinisë te të miturit, hyri në fuqi sot.

Parlamenti i Hungarisë e miratoi këtë masë muajin e kaluar. Kritikët e shohin atë si sulm mbi të drejtat e komunitetit lesbik, homoseksual, biseksual dhe transseksual (LGBT).

Sipas tyre, ligji i stigmatizon pakicat seksuale.

“Ne nuk mund të qëndrojmë mënjanë derisa rajone të tëra e shpallin veten ‘zona të lira nga LGBTIQ’. Evropa kurrë nuk do të lejojë që pjesë të shoqërisë sonë të stigmatizohen”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim në Twitter.

“Kur ne ngrihemi për pjesë të shoqërisë sonë, ne ngrihemi për lirinë e shoqërisë sonë si e tërë”, shtoi ajo.

Në Budapest, muajin e kaluar, kishte protesta kundër ligjit. Ligji, më saktësisht, u ndalon fëmijëve dhe të rinjve librat, filmat dhe përmbajtjet që flasin për seksualitet tjetër, përveç heteroseksualitetit.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se ligji nuk është kundër homoseksualitetit. “Bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve dhe prindërve”, ka thënë ai. Orban ka thënë se liderët evropianë veprojnë si “kolonialistë” me kritikat e tyre ndaj ligjit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, kanë sugjeruar që Orban t’i mbrojë vlerat e BE-së ose ta tërheqë Hungarinë nga blloku 27-anëtarësh.

Të ngjashme