Mali i Zi ka vendosur heqjen e testit të COVID për të hyrë në vend.
Këtë njoftim e ka dhënë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku thekson se do të jetë në fuqi deri në një lajmërim të dytë. Ky lehtësim masash vjen pas përmirësimit të situatës epidemiologjike.
Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi ka njoftuar sot 388 raste të reja me COVID dhe për katër viktima për 24 orët e fundit.
Numri i përgjithshëm i rasteve aktive në këtë vend me mbi 620,000 banorë, aktualisht është 9,595. Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, në pranverë të vitit të kaluar, Mali i Zi ka konfirmuar gjithsej 52,819 raste me koronavirus.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se pas rishikimit të masave anti COVID, Mali i Zi ka vendosur të anulojë masën e ndalimit të komunikacionit ndërurban. Duke filluar që prej datës 12 janar 2021, Mali i Zi do të lejojë hyrjen e lirë të të gjithë shtetasve të huaj, përfshirë edhe ata shqiptarë, pa detyrim për të paraqitur një test negativ PCR. Këto masa do të jenë të vlefshme deri në një vendimmarrje të dytë”, shkruhet në njoftim.