Pandemia Covid-19 nuk ndali lëvizjet e parregullta migratore. Ndonëse gjatë viteve 2015 deri në 2017 numri i imigrantëve të parregullt njohu rënie, viti 2019 dhe 2020 u rrit me 59 për qind.
Për drejtorin e policisë kufitare dhe migracionit, Eduart Merkaj, të dhënat flasin për një rritje të konsiderueshme. Gjatë vitit që lamë pas, teksa vendi ndodhet nën masat e rrepta të qarkullimit të diktuara nga nevoja për të parandaluar përhapjen e Covid-19, u kapën 19,420 emigrantë të parregullt kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme apo Afrikës së Veriut.
Sipas Merkajt, një tjetër problematikë është dhe rreziku që vjen nga luftëtarët e huaj, pjesë e grupeve terroriste, duke qenë se fluksi i imigrantëve është i përzier.
Nga ana tjetër, patrullimet e përbashkëta në kufi me frontex kanë sjellë rezultatet e para.
“Para fillimit të operacionit, vetëm 30% e tyre kapej në zonën kufitare me Greqine, nëse sot 90% kapen në kufi”, shton Merkaj.
Riatdhesimet e shtetasve shqiptarë janë ulur ndjeshëm kjo për shkak të pandemisë dhe reduktimit të numrit të fluturimeve. Në total, në vendin tonë, për vitin 2020 janë deportuar nga vendet e Bashkimit Evropian 7485 shqiptarë./A2